Arbëri

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, optimist rreth Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do t’ia dalin t’i përmbushin reformat e domosdoshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, ka deklaruar të marten komisioneri i BE-së për Zgjërim, tregues ky i radhës se këto dy shtete të Ballkanit pritët që ta tejkalojnë kundërshtimin francez.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili e ka bllokuar hapjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën në tetor, ka thënë gjatë fundjavës se ai ishte i gatshëm t’ua mundësonte fillimin e bisedimeve për anëtarësim, po qe se Komisioni Evropian iu jep vlerësim pozitiv gjatë muajit të ardhshëm.

“Jam tejet i inkurajuar nga vizitat e mia në të dyja shtetet”, ka thënë komisioneri për Zgjërim, Oliver Varhelyi. “Ato nuk po heqin dorë prej reformave… dhe do të shihni se ato do t’ia dalin. E nëse e bëjnë atë, atëherë të jeni të bindur se do të ketë hapje të negociatave”, ka thënë ai, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Nëse atyre iu jepet drita e gjelbërt, miratimi do t’i hapë rrugë samitit të liderëve të BE-së dhe të gjashtë shteteve kandidate të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjës dhe Maqedonisë së Veriut – që mbahet në Zagreb gjatë majit.