Arbëri

Kosova, larg përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar

Descriptive Text

Kosova po shënon 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, por ajo ende nuk ka arritur ta rrumbullakojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe ky fakt ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë edhe në situatën e brendshme dhe në mënyrën e udhëheqjes së vendit, si dhe në vetë funksionalitetin e shtetit, vlerësojnë publicistë dhe politologë nga Kosova.

Publicisti dhe historiani Jusuf Buxhovi, thotë për Radion Evropa e Lirë që akti kryesor që shënon rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), për Kosovën ende mbetet sfidë.

“Një faktor formal, mund të themi, që është shumë i rëndësishëm, është që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Kjo ka rëndësi, sepse me këtë do të fitonte një legjitimitet tjetër ndërkombëtar. Procedura dhe rruga është e njohur (për anëtarësim). Kërkohet miratimi i shumicës së vendeve dhe përveç kësaj edhe miratimin e të gjitha anëtareve të Këshillit të Sigurimit, ku Rusia dhe Kina kanë vetot dhe në të njëjtën kohë mund të paraqesin kundërshtimet e tyre. Sipas mendimit tim, problemi më i madh që ndikon në gjithë këtë çështje dhe problematikë, është që Kosova, nga brenda ka probleme politike”, tha Buxhovi.

Sipas tij, udhëheqësit politikë të Kosovës, në përgjithësi, nuk i kanë përmbushur qëllimet për shtet-ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë , që problemet e vazhdueshme e kanë penguar dhe po e pengojnë përmbylljen e shtetësisë së Kosovës dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

“Fatkeqësisht, Kosova nuk ka arritur t’iu afrohet integrimeve euro-atlantike dhe nuk ka arritur ta rrumbullakojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, si dhe në një farë forme edhe sovranitetin dhe integritetin territorial, sepse kufirin me Serbinë, në segmentin ndërkombëtar, ende e ka kufi administrativ dhe jo kufi shtetëror, pa marrë parasysh që është i paprekshëm. Kosova nuk ka arritur që të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka arritur që të ketë një mekanizëm të drejtpërdrejtë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Tahiri.

Ai shtoi se Kosova nuk ka arritur të marrë as liberalizimin e vizave dhe as nuk ka arritur të marrë njohjen nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Brenda rajonit, sipas tij, Kosovën vazhdojnë të mos e njohin Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Të gjitha këto pengesa, në rrumbullakimin e subjektivitetit të Kosovës, siç thotë Tahiri, po shfrytëzohen nga Serbia që dialogun me Kosovën ta paraqesë si dialog për çështje të statusit të kësaj të fundit. Megjithatë, sipas tij, një pjesë të madhe të përgjegjësisë, për gjithë këtë situatë e bartin vetë drejtuesit politikë të Kosovës.

Të plotë mund ta lexoni në REL