Arbëri

Paralajmërohet themelimi i Institutit për krime lufte

Pas gati dy vjetësh prej kur është mbyllur Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës, Qeveria e re ka paralajmëruar hapjen e tij.

Rifunksionimin e një instituti për krime lufte, ish-drejtori Ismet Salihu e sheh tejet të nevojshëm.

Salihu ka kritikuar qeverisjen e kaluar, meqë, sipas tij, asnjëherë nuk është interesuar për fuqizimin e Institutit.

Por ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, teksa ka arsyetuar mbylljen e Institutit të atëhershëm, ka akuzuar Vetëvendosjen se hapjen e këtij institucioni mund ta përdorin për punësim të militantëve partiakë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa e ka porositur Tahirin të mos ngutet me deklarata të tilla, ka thënë se paraprakisht do të bëjnë një vlerësim të situatës aktuale dhe më pas do të veprojnë në përputhje me zotimet e Qeverisë.

Megjithatë, në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë thonë se Instituti për krime lufte duhet të ketë mision të saktë që të mund të zbatohet në praktikë.

Bekim Blakaj, duke përmendur shumë iniciativa që janë ndërmarrë në hetimin e dokumentimin e krimeve të luftës e të cilat nuk kanë gjetur zbatim, shprehet se instituti do të kishte kuptim vetëm nëse nuk përzihet në punën e Prokurorisë.

Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës ishte hapur në vitin 2011, ndërsa u mbyll në vitin 2018 me vendim të Ministrisë së Drejtësisë për t’i hapur rrugë funksionimit të Departamentit për Drejtësi Transicionale në kuadër të këtij dikasteri.

Sipas organizatës “Fondi për të Drejtën Humanitare”, e cila që nga paslufta ka dokumentuar krimet dhe dëshmitë e luftës në Kosovë, në luftën e fundit janë vrarë mbi 13 mijë persona, derisa më shumë se 1 mijë vazhdojnë të jenë të zhdukur.

21 vjet pas luftës Kosova ende nuk ka arkiv dhe shifra zyrtare për dëmet dhe krimet e luftës.