Arbëri

KQZ-ja përcakton afatet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Podujevë, aprovohet plani i buxhetit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhje për përgatitjet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë.

Sami Hamiti anëtar në KQZ ka thënë se bazuar në projektbuxhet ka mjete të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve.

“Kemi analizuar planin e buxhetit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë. Dua të potencoj se nga ana e sekretariatit ka pasur stoqe nga zgjedhjet e kaluara që do të ulnin shpenzimet. Si projektbuxhet ka mjete edhe nëse mund të ketë balotazh. Propozojmë që projektbuxheti të shkojë sa më shpejt në qeveri”, ka thënë ai.

Ndërkaq Arianit Elshani anëtar në KQZ ka bërë thirrje që sa më shpejt të aprovohet buxheti nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, raporton KTV.

“Është imediatë nevoja për me e aprovu këtë buxhet sepse do të lehtësonte punën. Një pikë që duhet të shqyrtohet është shtesat për zyrtarët që punojnë me orar të zgjatur. Jam kundër që të ketë shtesa për përfaqësuesit e partive, sepse nuk janë të nevojshme”, ka thënë ai.

Ndërkaq Sami Kurteshi ka thënë se shtesat për përfaqësuesit politik nuk janë të domosdoshme sepse marrin edhe pagë.

Me 7 vota për 1 votë kundër dhe 1 abstenim është aprovuar plani i buxhetit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.

Në këtë mbledhje janë përcaktuar afatet për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 shkurt dhe më 17 shkurt 2020.

-Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 2 mars 2020.

-Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues jashtë Kosovës fillon më 16 shkurt dhe përfundon më 23 shkurt 2020 ndërkaq periudha e votimit përmes postës fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020.

-Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues me nevoja të veçanta fillon më 26 shkurt dhe përfundon më 1 mars 2020.

-Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020.

-Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 10 mars 2020.

-Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 12 mars 2020.

-Periudha për formimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 14 shkurt 2020

-Periudha për formimin e Këshillave të Vendvotimit fillon më 25 shkurt dhe përfundon më 6 mars 2020;