Arbëri

Abdixhiku anulon tenderin për autostradën e Gjilanit, por thotë se e njëjta do të ndërtohet në këtë mandat

Anulimi i një tenderi 110-milionësh pritet të jetë një nga vendimet e para të Qeverisë Kurti.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar urgjentisht nga organet përgjegjëse të Ministrisë që t’i shikojnë mundësitë ligjore për anulimin e tenderit për ndërtimin e autostradës për Gjilan - Banullë – Dheu i Bardhë, raporton KTV.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se ky projekt do të mund të realizohet vetëm pas miratimit të buxhetit për vitin 2020.

Ministri Abdixhiku ka shtuar se Qeveria nuk është kundër kësaj autostrade, por ajo duhet të ndërtohet duke respektuar ligjet në fuqi dhe me kosto sa më të përballueshme për buxhetin e shtetit.

Ndërkaq, ai gjithashtu ka premtuar se do të shfuqizohet rregullorja e nxjerrë nga ish-ministri Pal Lekaj, për kompetenca për këshilltarët e ministrit.

Siç ka raportuar “Koha Ditore” javë me parë, ish-ministri Lekaj, përmes kësaj rregulloreje, u kishte dhënë kompetenca këshilltarëve të tij, të bënin punë të shërbyesve civilë përfshirë edhe mbikëqyrjen e tenderëve milionësh.

Abdixhiku, i cili me ristrukturimin e ekzekutivit ka kompetenca edhe për çështje që lidhen me ambientin, tha se do të shqyrtojë projektin për ndërtimet në Liqenin e Badovcit.

Ministri ka treguar se sipas planit të Qeverisë, secila autostradë në vend do të ndërtohet me kredi të jashtme.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka sqaruar se Autostrada për Gjilan do të bëhet brenda këtij mandati qeverisës. Por ai ka thënë se kjo autostradë do të behet me sipas ligjeve në fuqi.

“Dhe jo vetëm autostrada për Anamoravën. Sot takova zyrtarët e Bankës Botërore. U dakorduam të përshpejtojmë marrëveshjen për kredi që kishte mbetur në harresë. 60 milionë euro investime në ujëra për ndërtimin e digave në regjionin e Gjilanit dhe kështu adresimin e problemit të thatësisë njëherë e mirë”, ka shkruar në sqarimin e tij Abdixhiku.