Arbëri

A shpëtoi nga kolapsi PTK?

Telekomi i Kosovës ka shpëtuar nga kolapsi financiar, si pasojë e vendimit të fundit të arbitrazhit, me të cilin u dënua me 32 milionë euro, raporton KTV.

Drejtori menaxhues i kësaj ndërmarrjeje, Agron Mustafa, dhe drejtuesit e kompanisë ZMobile kanë nënshkruar marrëveshjen, përmes së cilës kjo e fundit heq dorë nga kërkesa për mjetet e fituara në arbitrazh. Mustafa ka thënë se me këtë vendim, përpos shpëtimit të Telekomit nga falimentimi, sigurohet e ardhmja e rreth 3000 punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Nga ana tjetër, drejtues të ZMobile kanë thënë se nuk kanë pasur asnjë interes që të dërgojnë telekomin drejt falimentimit, nga i cili do të dëmtoheshin edhe punëtorët e të dy kompanive.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, palët janë pajtuar që të nisë menjëherë dhënia e numrave dhe shërbimeve 3 dhe 4G.

Ndërsa, ditëve në vijim, kanë thënë se do të bëjnë publike edhe shumën e mjeteve që Telekomi duhet të paguajë shërbimet e arbitrazhit, të shpenzuara nga ZMobile.