Arbëri

Vazhdon gjykimi i Lushtakut për ikje nga QKUK-ja – dëshmon ish-drejtori i burgut në Mitrovicë

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq, ka dëshmuar të mërkurën në procesin gjyqësor për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja.

Radojeviqi, i cili në atë kohë ishte drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, ka thënë se gjendja e sigurisë pas vitit 2008 ishte përkeqësuar, raporton KTV.

Tutje, sipas tij, gjatë këtij viti në atë qendër të gjithë të burgosurit shqiptarë ishin transferuar nëpër qendra të tjera, për shkak të situatës në veri të vendit.

Radojeviq ka thënë se nuk i kujtohet vendimi i gjyqtarit të EULEX-it që të akuzuarit nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë të transferohen në atë të Mitrovicës, por sipas tij, ishte biseduar për këtë çështje.

Ai, në dëshminë e tij, ka theksuar se ndonëse kishte qenë vështirë të punohet në Shërbimin Korrektues, kishin pasur bashkëpunim dhe ndihmë nga Drejtoria e Përgjithshme e këtij institucioni.

“Puna nuk ka qenë aspak e lehtë, veçanërisht për atë periudhë, duke marrë parasysh rrethanat që kanë mbizotëruar atëherë, por kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë dhe korrekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë”, ka thënë Milan Radojeviqi.

Në këtë seancë ishte planifikuar që të dëshmojnë edhe Fadil Sopjani e Valmir Klaiqi. Prokurorja propozoi që të lexohen deklaratat e tyre, por kjo u kundërshtua nga Lushtaku duke thënë se aktakuza është ngritur me qëllime të caktuara.

Klaiqi, që në atë kohë ka qenë gazetar e tani është zyrtar në PDK, ka munguar në dy seancat e fundit për të dhënë dëshminë e tij, në atë të radhës do të sillet me detyrim.

Seanca e radhës ndaj ish-kryetarit të Skënderajt, i cili akuzohet për arratisje nga QKUK-ja, pengim të dëshmisë dhe për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, do të mbahet më 20 shkurt.

Në këtë rast, pos Lushtakut, Ismet Haxhës e Sahit Jasharit, akuzohen edhe rreth 20 persona tjerë, që, sipas Prokurorisë, ndihmuan ose nuk penguan arratisjen e tyre sa ishin në paraburgim.