1 perditesime
15:16

Kurti: Do t’i rishqyrtojmë vendimet që Haradinaj mori pas dorëheqjes

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e re do të rishqyrtojë të gjitha vendimet që ish-kryeministri Ramush Haradinaj mori pas dorëheqjes më 19 korrik 2019.

I pyetur për emërimet që kishte bërë Haradinaj në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, sa ishte kryeministër në detyrë, Kurti ka thënë se asnjëri vendim i pasdorëheqjes s’ka statusin e njëjtë me vendimet e para datës 19 korrik.

“Të gjitha vendimet të cilat janë marrë pas datës 19 korrik 2019, nuk mund ta kenë statusin e njëjtë para kësaj date. Po i referohem datës kur ish-kryeministri dha dorëheqje. Qeveria e Kosovës, unë si kryeministër, do të kemi rishqyrtim të gjithë kësaj faze pas dorëheqjes së ish-kryeministrit. Me ç’rast konsiderojmë se për të filluar një kapitull të ri në Kosovë duhet të rrisim përgjegjësinë institucionale e ligjore në njërën anë por edhe politike e morale. Dorëheqja është akt moral dhe nuk besojmë se vendimet e emërimet e mëpastajme kanë statusin e pëlqyeshëm nëse respektojmë shtetndërtimin demokratik e ligjshmërinë në republikën tonë”, ka thënë ai në konferencën e përbashkët me Apostolovan.

Kurti ka thënë se akoma s’janë caktuar zëvendësministrat, ndërsa ka shtuar se aktualisht prioritet në këtë fazë është projektligji për buxhetin.

Se a do të mund të shkarkojë ministrat nga radhët e LDK-së pa pyetur krerët e kësaj partie, Kurti ka thënë se “nuk beson se do të ndodhet para sfidave të tilla”.

“Unë dua që të bashkëpunojmë me subjektet tjera në qeveri, mbi bazat e partneritetit. S’dua të mendoj se si do të kemi ministra që duhet shkarkuar. Në Qeverinë e Republikës së Kosovës s’do të ketë ministra LVV, LDK, LDS e LS. Do të jenë ministra të Qeverisë së Kosovës. Në programin tonë, në marrëveshjen që kemi arritur, me ndryshimin që e ka votuar populli, s’besoj se do të ndodhemi para sfidave të tilla”, ka përfunduar ai.

14:55

Kurti: Taksa ndaj mallrave serbe zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik e tregtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.

Në një konferencë pas takimit me Shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, Kurti ka thënë se “parimi për marrëdhënie konstruktive do të jetë princip pune”

“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike edhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik e tregtar si zëvendësim për tarifën 100 për qind. s’themi se do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike, por do ta avancojmë duke shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti me parimin që njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore – reciprociteti. Edhe LDK-ja, edhe VV-ja, mbi 60 për qind të votave në Kosovë në mesin e shqiptarëve, ishin me parimin e reciprocitetit. Edhe ata që sot janë në opozitë apo që s’na votuan mund të mos pajtohen me ne për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë pro. Këtë parim për marrëdhënie konstruktive do ta ketë princip pune”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Apostolova nuk ka pranuar të komentojë reciprocitetin pos ka thënë që BE-ja ka qenë e qartë duke kërkuar heqjen e taksës dhe se ajo është e interesuar që dialogu Kosovë – Serbi të fillojë sërish.