Arbëri

BE-ja dhe shtetet e Ballkanit duhet të jenë më të sinqerta në procesin e zgjerimit

Foto: Reuters

Komisioni Evropian pritet të miratojë në takimin e sotëm të Kolegjit të Komisionarëve komunikimin për metodologjinë e re të zgjerimit, të cilin e kishte kërkuar Franca si parakusht për të pranuar vazhdimin e këtij procesi.

Dokumenti do të duhej të analizohej në detaje për të kuptuar se çfarë ndryshime do të sjellë ai në proces, ndërsa pas leximit të parë shihen vetëm disa ndryshime. Njëri është që procesi të bëhet me kushte më lehtë të matshme, që në proces më shumë të përfshihen shtetet anëtare, por edhe të marrin më shumë përgjegjësi. Tjetri element është bashkimi i disa nga 35 kapitujt në grupe dhe që të hapen të gjithë kapitujt e një grupi në të njëjtën kohë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Po ashtu, kapitujt do të mund të rihapen, ndërsa i tërë procesi edhe të pezullohet nëse vlerësohet se nuk ka pasur përparim apo kur ndonjë shtet kandidat bën ecje prapa. Parashihet edhe mundësia e pezullimit të fondeve të BE-së, me përjashtim të atyre që janë të dedikuara për shoqërinë civile, për ato shtete që shënojnë keqësim të situatës në fusha që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

“Një perspektivë e anëtarësimit të plotë në BE për Ballkanin Perëndimor, e vendosur dhe e bazuar në merita, është në interes të vetë BE-së si politikë ashtu edhe atë të sigurisë dhe ekonomike. Në kohën e rritjes së sfidave ndërkombëtare dhe ndasive, mbetet më shumë se kurdoherë më parë si një investim gjeostrategjik për një Evropë stabile, të fortë dhe të bashkuar. Një perspektivë e besueshme e anëtarësimit mbetet edhe si motiv kryesor që drejton transformimin në rajon dhe në këtë mënyrë rritjen e sigurisë sonë kolektive dhe prosperitetit. Është mjeti kyç për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit për të drejtat themelore, që po ashtu janë motori kryesor i integrimit ekonomik dhe një shtyllë për të forcuar pajtimin dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në hyrje të këtij dokumenti ku konstatohet se mbajtja e këtij procesi është thelbësore për të siguruar kredibilitetin e BE-së dhe ndikimin jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)