Arbëri

Nën himnin e Kosovës e valëvitjen e flamurit verdhë e kaltër, Kurti mbërriti në objektin e Qeverisë

Nën himnin e Kosovës, valëvitjen e flamurit verdhë e kaltër dhe me nderime ushtarake, kryeministri i sapozgjedhur, Albin Kurti, ka arritur në objektin e Qeverisë.

Drejt zyrës së tij, Kurti është shoqëruar nga ish-zv.kryeministri Behgjet Pacolli, i cili ia ka dorëzuar edhe zyrtarisht mandatin, raporton KTV.

Kjo pasi shefi i deritashëm i tij, Ramush Haradinaj, ndodhet në Amerikë.

E pak minuta pasi e pranoi detyrën, Albin Kurti, ka mbledhur kabinetin e ri.

Nga karrigia e udhëheqësit të Qeverisë, ai iu ka kërkuar ministrave të jenë sa më afër qytetarëve.

Në mbledhjen e parë si kryeministër, Kurti ka thënë se në ekzekutiv nuk do të jenë të ndarë në bazë të partive.

I pari i ekzekutivit ka paralajmëruar edhe një mbledhje të re me vartësit e tij, e në të cilën do të diskutojë plan-programin qeverisës.

Kurti, në seancën e së hënës, mori mbështetjen e 66 deputetëve nga 120 sa janë gjithsej, derisa opozita nuk qëndroi fare në sallë kur u votua ai.