Arbëri

Borrelli mirëpret formimin e Qeverisë së Kosovës-“Mezi pres rifillimin e dialogut me Serbinë”

Foto: Alban Bujari / KD

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka mirëpritur vendimin e votimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në krye me Vjosa Osmanin dhe formimin e Qeverisë së re me kryeministër Albin Kurti, i cili sot zyrtarisht mori mandatin.

Borrelli, thotë se mezi pret të intensifikoj diskutimet dhe bashkëpunimet mes Kosovës e BE-së, e gjithashtu, të rifillojë dialogun me Serbinë, nën lehtësimin e BE-së.

“Mirëpres votimin e Kuvendit të Kosovës që konfirmon qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Tani me qeveri të re në vend, mezi pres të intensifikoj diskutimet dhe bashkëpunimin tonë për marrëdhëniet e Bashkimit Evropian-Kosovë, për reformat dhe Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. BE mbetet e përkushtuar të punojë me institucionet dhe njerëzit e Kosovës për të ecur përpara në rrugën evropiane”, është shprehur Borrelli, transmeton Koha.net.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, thotë se ka shumë punë që qeveria e re të zbatojë dispozitat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformës Evropiane, gjithashtu, të promovojë sundimin e ligjit dhe zhvillimin socio-ekonomik.

“Bashkëpunimi rajonal duhet të përmirësohet, gjithashtu marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Në këtë kontekst, mezi presim një rifillim të shpejtë të dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja për të ndihmuar në arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, tha ndër tjera Borrelli.

Borrelli, tutje thotë se “Statusi aktual nuk është i qëndrueshëm”.

“Nuk ka asnjë alternativë për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin midis Beogradit dhe Prishtinës. Ne gjithashtu duhet të shohim angazhimin e përtërirë të Kosovës në nismat rajonale dhe strukturat e bashkëpunimit për të mirën e Kosovës. Sfidat me të cilat përballet Kosova janë domethënëse por është edhe potenciali i Kosovës. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në Agjendën Evropiane të Reformës dhe të vazhdojmë mbështetjen tonë në forcimin e sundimit të ligjit për të gjithë, përmirësimin e administratës publike për të ofruar shërbime që popullata i meriton dhe gjithashtu krijimin dhe rritjen e vendeve të punës”, përfundoi Borrelli.