Arbëri

Ramush Haradinaj - kryeministër në detyrë për 200 ditë

Fiks 200 ditë si kryeministër në detyrë i Kosovës do t’i mbushë Ramush Haradinaj të hënën e 3 shkurtit. Në ditën e 200-të si kryeministër në detyrë ai pritet t’ia dorëzojë postin Albin Kurtit të Vetëvendosjes, i cili të hënën do të prezantojë në seancën plenare të Kuvendit emrat e ministrave me të cilët synon të udhëheqë vendin.

Haradinaj kishte dhënë dorëheqje më 19 korrik të vitit 2019, me arsyen se ishte ftuar në Hagë nga Gjykata Speciale dhe atje nuk donte të shkonte si kryeministër, por si qytetar i thjeshtë i Kosovës. Vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme më 6 tetor. Nga ato zgjedhje fituese doli Vetëvendosje e që deri sot nuk arriti të zyrtarizonte marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në, pavarësisht negociatave të gjata. Të hënën, kryetari i VV-së do të prezantojë para deputetëve qeverinë me emrat e 15 ministrave, me të cilët synon të udhëheqë vendin.

Haradinaj për gjashtë muaj e gjysmë mbajti 7 mbledhje të qeverisë si kryeministër në detyrë. Ai dha dorëheqje në mbledhjen e 111-të, ndërsa më 29 janar të 2020-s mbajti mbledhjen e 118-të, raporton Koha.net. Kjo po del të jetë mbledhja e tij e fundit si kryeministër në detyrë. Në këtë mbledhje qeveria në detyrë ndau 50 mijë euro për Komunën e Bujanovcit për projektin “Aftësimi profesional i të rinjve në këtë komunë”. Po ashtu u ndanë edhe 36 mijë e 600 euro për Shoqatën e ish të burgosurve politikë të Kosovës. 15 mijë euro u ndanë për familjen e policit të vrarë në javën e shkuar në një aksion në Zhur dhe nga 10 mijë euro për dy policët e plagosur.

Mbledhja e 112-të, apo e para pas dorëheqjes, ishte vetëm diskutim për ligjshmërinë e procedurave të takimeve dhe vendimmarrjes së Qeverisë pas dorëheqjes së tij si kryeministër.

Në mbledhjen e 5 nëntorit, apo atë të 113-të, Qeveria në detyrë miratoi vendimin për kursimet dhe ndarjet buxhetore ndërmjet organizatave buxhetore për 2019-n, shqyrtoi Raportin e Thesarit dhe aprovoi vendimin për rivarrimin e dëshmorëve Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu e Agron Rrahmani. Qeveria ndau edhe 42 mijë euro për angazhimin e ekspertëve për përfitimin e fondeve nga projektet MCC.

Në fund të nëntorit, Qeveria në detyrë kishte vendosur të dërgonte kontingjentin e FSK-së për ndihmë në Shqipëri pas tërmetit dhe kishte ndarë 500 mijë euro ndihma. Ky vendim u mor në seancën e 114-të të Qeverisë Haradinaj.

Rregulloret për kompensimin e punës jashtë orarit për Policinë e Kosovës dhe pagat në FSK u miratuan në mbledhjen e 115-të të mbajtur më 17 dhjetor. Ishte vendosur edhe për ndarjen e gati 13 mijë eurove për ngritjen e bustit të senatorit Robert Dol. 390 mijë euro ishin ndarë për shoqatat e dala nga lufta. 70 mijë euro ishin caktuar për Koordinatorin Nacional për Rini dhe Kulturë, ndërsa Bedri Zyberaj ishte emëruar në pozitën e Kryeshefit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave në mandat trevjeçar. 350 mijë euro ishte vendosur që nga fondi rezervë të kalonin në buxhetin e Zyrës së kryeministrit.

Mbledhja e 116-të pati më pak vendime. Aty u ndanë 250 mijë euro nga shpenzimet e paparashikuara për të mbështetur koalicionin global për luftë kundër terrorizmit.

Më 22 janar, në mbledhjen e parafundit të qeverisë në detyrë, apo atë me numrin 117, Qeveria Haradinaj vendosi për krijimin e Grupit Punues për themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane dhe shqyrtoi Programin e Reformave në Ekonomi për 2020-n. Pos këtyre, në këtë mbledhje ishte vendosur të ndahen gati 58 mijë euro për dymbëdhjetë punonjësit e Rezidencës “Ibrahim Rugova” për vitin 2020.

Të dielën, Vetëvendosje dhe LDK-ja zyrtarizuan koalicionin për bashkëqeverisje. Një ditë para kësaj, pas raportimeve në media, Haradinaj kishte thënë se përmbyllja me marrëveshje mes dy partive është veprim i duhur dhe konkretizim i mirë. Megjithatë, ai kishte thënë se qëndron i bindur se “agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si kryeministër”.

Haradinaj ishte bërë kryeministër i vendit më 9 shtator të 2017-s.