Arbëri

Liderët politikë të Shqipërisë urojnë për koalicionin VV-LDK

Foto: Alban Bujari / Koha

Liderë politik të Shqipërisë e kanë përshëndetur koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për nënshkrimin e koalicionit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se bashkëpunimi i shtuar mes Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm për shkak të sfidave të shumta që i presin të dyja vendet.

“Suksese VV dhe LDK në formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës! Në sfidat e shumta që qëndrojnë para nesh, bashkëpunimi i shtuar mes Kosovës e Shqipërisë është i domosdoshëm! Presim me padurim të fillojmë me biseda përmbajtjesore me Qeverinë e re të Kosovës për të zhvilluar një program të përbashkët e në të mirë të dy vendeve”, thuhet në postimin e tij.

Për koalicionin ka uruar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai ka thënë se marrëveshja e sotme është një plotësim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, ajo është një akt ndershmërie dhe pjekurie politike e një vizioni të qartë të drejtuesve të LVV-së dhe LDK-së.

“Në emrin tim e të Partisë Demokratike, përshëndes përzemërsisht LVV dhe simotrën tonë LDK për marrëveshjen e arritur. Kjo marrëveshje është përgjigje konkrete e vullnetit për ndryshim i qytetarëve të Kosovës. Partia Demokratike si përgjatë çdo dite të historisë së saj, do të jetë plotësisht në krah e mbështetje të Kosovës dhe udhëheqësisë së saj, sot në opozitë e më fort nesër në qeverisjen e vendit, në sfidat që i kemi përpara dhe që kërkojnë angazhim të sinqertë e bashkëpunim vëllazëror”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes VV-së dhe LDK-së.

“I uroj VV-së dhe LDK-së sukses në krijimin e një qeverie të qëndrueshme e efikase në përballjen me sfidat e mëdha në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në njohjet e reja dhe integrimin e mëtejshëm në organizatat rajonale e ndërkombëtare. Uroj gjithashtu që mes dy vendeve tona të rritet më tej bashkëpunimi dhe integrimi në të mirë të të gjithë qytetarëve, si dhe për forcimin e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin”, ka thënë ajo.