Arbëri

Osmani: LDK-ja vendos sot për emrat e ministrave, unë do të jem aty ku ka nevojë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se me marrëveshjen e sotme mes VV-së dhe LDK-së është jetësuar vullneti i qytetarëve të Kosovës.

Osmani ka thënë se gjatë këtij procesi të mundimshëm nuk ka pasur asgjë më të rëndësishme se sa jetësimi i këtij vullneti.

Para mbledhjes së Këshillit të LDK-së, ajo ka thënë se para zgjedhjeve ajo dhe Kurti kishin nënshkruar një zotim se nuk do të ketë më shumë se 15 ministri.

“Gjatë fushatës edhe unë edhe Kurti kemi nënshkruar një zotim para qytetarëve që nuk do ta rrisim numrin e ministrive më shumë se 15. Është analizuar nga ekspertet që një fuzionim i tillë ku disa ministri do të bëheshin shumë të mëdha do t’i bënte ato jofunksionale. Ndarja e tyre do të bëhet në mënyrë të barabartë”, ka thënë ajo.

Osmani tutje ka shtuar se sot në Këshillin e Përgjithshëm do ta diskutojnë marrëveshjen në parim pë marrëveshjen, ndërkaq sa i përket emrave të cilët do t’i udhëheqin ministritë, ajo ka thënë se sot gjatë ditës do të bisedohet për emrat.

"Ne sot në këshille përgjithshëm do të diskutojmë vetëm për marrëveshje kurse sa i përket emrave besoj që në ndërkohë gjatë ditës do të diskutohet dhe kush do të jenë përfaqësuesit e LDK-së në qeveri dhe këto diskutime janë të domosdoshme. Dhe do ti kemi ato para seancës së nesërme. Për mua është më rëndësi qe vullneti i qytetarëve u realizuan dhe të gjitha çështjet tjera janë më pak të rëndësishme dhe nesër shpresoj të kemi planin që e kemi hartuar bashkë me VV-në dhe në fund nuk janë më rëndësi emrat sa janë veprat", ka thënë ajo.

Aj ka thënë se roli i pakicave është i rëndësishëm dhe shpreson që do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

“Roli i pakicave është shumë i rëndësishëm dhe të njëjtit mund të kontribuojnë në të mirën e interesave të qytetarëve", ka thënë ajo.