Arbëri

Pritet që prokurorët e Speciales të profilizohen, e mirëpret shoqëria civile

Brenda pak muajsh Prokuroria Speciale pritet të ketë prokuror të profilizuar për të luftuar terrorizmin, krimin financiar e shpëlarjen e parave.

Një muaj pasi ka marrë detyrën e re si kryeprokuror i Speciales, Blerim Isufaj thotë se njëri prej prioriteteve të tij do të jetë profilizimi i prokurorëve.

Departamenti për terrorizëm dhe shpëlarje të parave, Departamenti për korrupsion dhe krim financiar dhe ai për krim të organizuar janë përfshirë si propozime në koncept-dokumentin që Isufaj brenda muajit të ardhshëm do t’ia dorëzojë Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Shoqëria civile vlerëson se është koha e fundit që Prokuroria Speciale të ndahet në departamente, raporton KTV.

Sipas tyre, specializimi i prokurorëve në fusha të caktuara do të ndikonte në efikasitetin e hetimeve dhe cilësinë e aktakuzave.

Ndërkohë javën e kaluar “Koha Ditore” raportoi lidhur me vlerësimin që ekspertë të Komisionit Evropian i kanë bërë punës së Prokurorisë dhe gjykatave në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Raporti, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta, flet për ngecje të mëdha sidomos në sistemin e ndjekjes në Kosovë.

Kosova në vazhdimësi ka marrë kritika edhe sa i përket luftimit të veprave penale që lidhen me shpëlarje të parave.