Arbëri

Shpëtohen 18 klandestinë në Durrës, mes tyre një fëmijë

Roja bregdetare në Durrës ka shpëtuar 18 klandestinë mëngjesin e sotëm. Klandestinët sirianë, marokenë dhe irakianë, mes tyre dhe një fëmijë, rrezikonin të mbyteshin pasi skafi me të cilin po udhëtonin ishte çarë.

Në mesnatë skafisti dha alarmin 18 milje në det të hapur nga kepi i Selitës dhe menjëherë ka ndërhyrë roja bregdetare. Operacioni ka zgjatur disa orë dhe rreth orës 4 të mëngjesit skafi është nxjerrë në breg duke shpëtuar të gjithë klandestinët, raportojnë mediat në Shqipëri.

Skafi ka qenë disa milje në det nga kur ka shfaqur probleme, ndërsa policia kufitare, pas shpëtimit, e ka parkuar atë në mjediset detare të portit të Durrësit.

Dyshohet se klandestinët janë strehuar diku në afërsi të bregdetit disa ditë me parë në pritje të skafit që do t’i dërgonte në Itali.