Arbëri

Opozita në Lipjan kritikon qeverisjen lokale për punësime në arsim mbi baza politike

Subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, nëpërmjet një komunikate për medie ka akuzuar ekzekutivin e komunës për keqmenaxhim me sektorin e arsimit.

Ky subjekt ka sqaruar se gjatë periudhës së fundit kohore është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet në sektorin e arsimit duke u nisur nga infrastruktura e dobët e objekteve shkollore, politizimi i skajshëm i arsimit, moszbatimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative dhe punësimet e vazhdueshme mbi baza politike e familjare.

Kritika ndaj ekzekutivit rreth gjendjes së arsimit janë adresuar edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal të premten, derisa kuvendarët kërkuar që ky sektor mos të politizohet më shumë.

“Infrastruktura në sistemin arsimor në Lipjan është në gjendje të renduar sepse kjo qeverisje ka dështuar në menaxhim. Në shkollën e fshatit Janjevë dhe Gadime mësimi zhvillohet në kushte jo normale pasi që objektet e stërvjetruara po paraqesin telashe gjatë procesit mësimor. Ndërkaq, numri i nxënësve nëpër klasa në komunën e Lipjanit është i mbi ngarkuar deri 42 nxënës. Mësimdhënësit përkundër vështirësive po kontribuojnë në ngritjen e arsimit nëpër këto shkolla”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas këtij subjekti, ka mjaftë raste, derisa qeverisja lokale po i rehaton militantët e vetë në këtë sektor, madje janë disa klasa që janë ndarë me nga 13 nxënës me qëllim të sistemit të mësimdhënësve, raporton Koha Ditore.

“Me këta nxënës punojnë mësimdhënës pa përgatitje profesionale, andaj kjo po ndodh vetëm për t’i rehatuar militantët e vetë subjekti i LDK-së që qeverisë me komunën. Kjo që çështje lidhet kryekëput me politizimin të skajshëm të arsimit në komunën tonë, dhe kjo nuk është në përputhje me ligjet në fuqi për arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndërkaq, Agon Bahtiri, anëtar i kryesisë së PDK-së në Lipjan, ka thënë se politizimi i arsimit në Lipjan tregon më së miri në konkursin e fundit për edukatore për parafillor në disa shkolla të Lipjanit dhe pasi është ndërtuar objekti i çerdhes së re.

Sipas tij, drejtoria komunale e Arsimit në Lipjan në konkursin e fundit ka punësuar vajzën e një kryetari të nëndegës së LDK-së.

“Për këtë pozitë ka pasur aplikacione dhe kandidat më profesional, madje edhe me fakultet adekuat për edukimin parafillor, mirëpo duhet me qenë pjesë e subjektit që udhëheq me komunën për ta fituar një vend të punës. Pra, duke e parë gjendjen e rëndë në sistemin e arsimit në nivel komunal, ne si PDK shprehim shqetësimet tona derisa komuna nuk po i zbaton ligjet dhe udhëzimet administrative për çështjen e punësimeve”, ka thënë Bahtiri.

Sipas tij, Komuna e Lipjanit, pikërisht kryetari Ahmeti në mënyrë të vrazhdë dhe jo ligjore, po i detyron vartësit e tij (drejtorët e shkollave), që të mos japin vërtetime mbi përvojën e punës së mësimdhënësve.

“Kjo po ndodh për arsye se komuna nuk po e zbaton kontratën kolektive që mësimdhënësit e Komunës së Lipjanit edhe pse ju takon me ligj, me arsyen e vetme se nuk kemi buxhet për t’i paguar mësimdhënësit për përvojën e punës”, ka thënë Bahtiri.

Albulena Kelmendi, këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e së premtes, ka thënë se braktisja e nxënësve nga shkolla është një dukuri e cila ka kapluar Lipjanin.

“Kisha dashur që drejtoria e arsimit të kërkoi statistika nga të gjitha shkollat për të mësuar saktësisht se sa nxënës e kanë braktisur mësimin dhe mundësisht duhet ta kemi edhe një raport për arsyeje e braktisjes së mësimit. Po ashtu po na intereson se kur do të filloi punën çerdhja e re dhe punëtorët që janë punësuar aty a janë futur në listën e pagave apo duhet të presin edhe për një kohë siç është me ligj”, ka thënë Kelmendi.

Nga ana tjetër gjatë së premtes drejtoresha e arsimit në komunën e Lipjanit, Elmaze Bhluli nuk ka qenë e qasshme për të marrë një deklaratë rreth shqetësimeve të ngritura nga subjektet opozitare. Ndërkohë Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, para këshilltarëve të KK-së të premten, ka thënë se çerdhja e re është finalizuar, por kanë mbetur edhe disa punë teknike për faktin se KEDS-i ende nuk e ka lëshuar një pëlqenim për kyçje në energji elektrike.

“Edhe si komunë kemi shumë penge me KEDS-in sepse për një pelqim të tyre na duhen kopjo gjatë procedura për t’i zhvilluar. Jemi në fund të procedurave dhe po besoj se gjatë ditëve në vazhdim do të rregullohet, mandej do të kalon edhe stafi i cili është marrë me këtë punë. Ne e kemi shtuar edhe numrin e fëmijëve në këtë çerdhe por edhe stafin me numër më të madh”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, çështja e braktisjes së nxënësve nëpër shkolla nëse është një fenomen që duhet me ndërmarrë veprime të caktuara atëherë do të angazhohen gjatë së ardhmes. “Mendoj se është shqetësuese nëse më të vërtet është ky fenomen, por nuk e di dhe nuk e kam ndonjë konstatim apo të dhëna të sakta që mund t’i referohen burimeve të sakta lidhur me çështjen e braktisjen e nxënësve nga shkolla. Nëse është e tillë duhet të marrim masa dhe ta parandalojmë atë”, ka thënë Ahmeti.