Arbëri

Vikendi vendimtar

Foto: Koha

Me optimizëm kanë folur në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe në Lidhjen Demokratike (LDK), rreth mundësisë së mbërritjes së një marrëveshjeje koalicioni më së largu deri të hënën, për kur është caktuar seanca plenare për votimin e kabinetit qeveritar, të cilin do ta paraqesë para deputetëve Albin Kurti, i nominuar për kryeministër.

Megjithëkëtë, përpos skenarit të Qeverisë së koalicionit të këtyre dy partive, mbeten në opsion edhe tre të tjerë, shkruan sot Koha Ditore.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili është një nga njerëzit kryesorë në LVV, ka shprehur besimin të premten se dy subjektet që prej muajsh kanë negociuar për marrëveshjen do t’i tejkalojnë dallimet gjatë vikendit.

“Bisedimet po vazhdojnë. Nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare, por unë jam shumë optimist që marrëveshja do të bëhet dhe që askush nuk do të mund ta ndalë formimin e Qeverisë Kurti, të cilën aq shumë janë duke e pritur qytetarët e Kosovës dhe për të cilën kanë votuar ata më 6 tetor”, ka theksuar Konjufca. “E tëra që duhet të bëjmë ne është që ta implementojmë zërin e qytetarëve që doli më 6 tetor, e ky zë ishte zë për ndryshime, zë për një Qeveri të ardhshme të Republikës së Kosovës dhe për Albin Kurtin për kryeministër të ardhshëm”.

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, LVV-ja ka dalë subjekt i parë për kah numri i votave, me një dallim jo shumë të madh me LDK-në, që është ranguar e dyta. Ndërkaq, partitë që përbënin pushtetin janë renditur pas tyre.

Edhe përpara zgjedhjeve, këto dy parti kanë zhvilluar negociata për koalicion parazgjedhor. Megjithëse nuk kishin mbërritur marrëveshje, gjatë fushatës parazgjedhore kishin premtuar se do të bashkëqeverisnin në mandatin që ndodhej përpara. Por, pavarësisht faktit që rezultati zgjedhor është certifikuar prej muajsh, Kuvendi është konstatuar dhe kanë dakorduar edhe programin qeverisës, marrëveshje për ndarje pushteti nuk kanë mundur të mbërrijnë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbajtur të premten një takim me njerëzit më me ndikim në parti, në funksion të finalizimit të shterjes së mundësive për marrëveshje me LVV-në.

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, ka paralajmëruar se në ditët e mbetura subjektet do të bëjnë përpjekje në shkrirjen e dallimit të vetëm që ka mbetur mes tyre. Ai ka treguar se liderët e të dyja partive, Albin Kurti e Isa Mustafa, do të takohen gjatë vikendit, me synimin për ta tejkaluar pengesën e vetme, që ndodhet në negociatat mes tyre....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)