Arbëri

Kusari-Lila: Jam optimiste se ka ende hapësirë për marrëveshje me LDK-në

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se afatet kushtetuese të parapara për seancë kanë qenë të ditura që kur është dorëzuar emri për mandatar.

Ajo thotë parim i Kurtit dhe i Vetëvendosjes është që të respektojnë afatet kushtetuese dhe të ndërtohen institucionet e Kosovës.

Kusari-Lila në Rubikon të KTV-së ka thënë se nëse dëshirë e Vetëvendosjes do të ishte të mos e kishte partner qeverisës LDK-në, atëherë nuk do të kalonte nëpër të gjithë këtë proces të mundimshëm.

Ajo thotë se LDK-ja ngul këmbë për një opsion të cilin e kishin në tavolinë deri më 26 dhjetor por që nuk e pranuan.

Ajo tutje është shprehur optimiste që ka ende hapësirë për marrëveshje mes dy partive.

“Unë besoj që ka ende hapësirë, dhe nëse kthehemi dhe zhvishemi të gjithë nga frika se si do të sillemi në të ardhmen do të ishte shumë më e lehtë të arrihej marrëveshje. LDK-ja si parti e vjetër ka pasur në vazhdimësi partnerë që kanë pasur standarde tjera. LDK-ja duhet ta kuptojë se nëse ka afate të dakorduara po- është po dhe jo është jo”, ka thënë ajo.

Kusari Lila thotë se askush nuk mund ta bind se VV-ja dhe LDK-ja nuk kanë vullnet për koalicion.

“Deri më tash nuk është se LDK-ja nuk është ulur në tavolinë për të diskutuar lidhur me marrëveshjen. Ata e kanë shprehur vullnetin për t’i bërë institucionet. Partisë së parë i takon kryeparlamentari, nuk është nënshkruar marrëveshja t’ia japim LDK-së, por ka qenë marrëveshje parimore. LDK-ja asnjëherë nuk e ka konfirmu as nuk është dakordu për këtë çështje”, ka thënë ajo.

Sipas saj, problemi nuk është Glauk Konjufca e as pozita, por parimi se institucionet po konsiderohen me shumë seriozitet.

Kusari-Lila thotë se ka pasur mundësi të shtohet numri i ministrive, derisa shton se, Kurti ka pasur qasje proaktive që të mos bllokohen në një pozicion.

Ajo thotë se pozita e kryetarit të Kuvendit nuk ka marrë as dy minuta diskutim, por se pozita e presidentit ishte ajo që ka frenuar marrëveshjen, e pastaj u bë pozita e kryeparlamentarit.

Sipas saj, tërmeti i parë mes VV-së dhe LDK-së ishte pozita e presidentit.

“Kur e merr përgjegjësinë për qeverisje nuk është për disiplinim të subjekteve tjera por për të qeverisur për atë që qytetarët kanë votuar. LDK-ja në kuadër të trajtimit të situatës, çka nëse thotë se nuk po na pëlqen mënyra se si e keni formulu pozitën e presidentit. Afati për seancë është e thirrur për 4 shkurt”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se më mirë është që seanca është thirrur nga VV-ja se sa të thirrej nga presidenti.