Arbëri

Kryeziu thotë se Kurti po nuk u mor vesh me LDK-në, mund të formojë qeveri të pakicës

Descriptive Text

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se nëse Albin Kurti nëse nuk arrin të bëj koalicion qeverisës me LDK-në, shkaku i vijave të kuqe për subjektet e tjera, atëherë mund të krijojë qeveri të pakicës.

“Ai mund të krijojë qeveri të pakicës përmes një koalicioni parlamentar me njërën nga subjektet opozitare edhe të dakordohet për disa tema kyçe legjislative e politike.

Duke i dhënë partisë opozitare mbështetjen e qeverisë për prioritetet e veçanta legjislative, duke përfshirë edhe shpërndarjen e buxhetit, vendimet dhe veprimet si ajo për taksen, dialogun, kufijtë etj.

Në këtë mënyrë do të siguronte votat e mjaftueshme për ta zgjedhur qeverinë dhe për të qeverisur me mandat të plotë apo edhe periudhë të caktuar kohore”, ka shkruar Krueziu.

Sipas tij, ky format i qeverisë mund të bëhet në formë zyrtare apo jo zyrtare.

“Alex Salmond, qeverisi me qeveri të pakicës për katër vjet ne Skoci, Konservatori Stephen Harper bëri të njëjtën gjë në Kanada. Qeveri të pakicës ka pasur dhe Zelanda e Re, Australia, Suedia, Holanda etj.”, ka përmendur shembuj nga bota Kryeziu.

Më tej, ai ka shkruar se edhe Ramush Haradinaj ka udhëhequr qeveri të pakicës.

“Në Kosovë, qeverisja e kaluar Haradinaj gjatë mandatit dhe pse humbi shumicën parlamentare, vazhdoi të qeverisë si qeveri e pakicës dhe të kishte stabilitet të votave nga mbështetja e PSD-së si subjekt opozitar, deri ne dorëheqjen e tij”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, nëse nuk ndodh kjo, kreu i Vetëvendosjes e ka edhe një opsion.

“Kurti, gjithashtu e ka opsion edhe formimin e një koalicioni qeverisës me partitë që vijnë nga komunitetet jo shumicë dhe të kërkoj votën e deputetëve të kuvendit për t`u zgjedhur kryeministër, pa u dakorduar me asnjë grup tjetër politik””, ka shkruar Kryeziu.