Arbëri

PDK-ja bojkoton takimin me diplomatin Borrell

Të enjten, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë veprimin e parë opozitar, që kur humbi zgjedhjet parlamentare.

E njohur për bashkëpunimin e ngushtë me ndërkombëtarët, PDK-ja e Kadri Veselit e ka bojkotuar takimin me përfaqësuesin e BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, raporton KTV.

Në një konferencë për media, Kadri Veseli e ka quajtur të pakuptimtë vizitën e tij në Kosovë në kohën kur shteti nuk ka Qeveri të konsoliduar.

Kështu, sipas tij, edhe ndonjë iniciativë eventuale për rinisjen e dialogut me Serbinë në këtë kohë, është e gabueshme.

Veseli ka folur edhe për ngecjen në bisedimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes bashkë-qeverisëse.

Kadri Veseli, partia e të cilit gjatë një dekade qëndrimi në pushtet premtoi vazhdimisht liberalizim të vizave, e ka kritikuar BE-në për këtë proces, duke thënë se qëndrimi i saj është diskriminues ndaj Kosovës.