Arbëri

Curri: 90 për qind të dhunës seksuale në familje janë gra, numri është më i lartë se që raportohet

Bergita Curri, specialiste e Mjekësisë Ligjore, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se dhuna seksuale në Kosovë është në një nivel mjaft të lartë, si në familje por edhe jashtë saj.

“Dhuna seksuale, çoftë ajo prej anëtarëve të familjes apo kujto, është një fenomen mjaft i shpeshtë, sidomos kur kemi të bëjmë me incestin. Ne jemi hallka e fundit ku viktima ka qenë e abuzuar, dhe jemi institucioni që tenton të dëshmojë provat se marrëdhënia ka ndodhur. Elementi kyç, që e bën dallimin mes një marrëdhënie ndërmjet një dhune seksuale dhe një marrëdhënie është pëlqimi. Nëse viktima deklaron se është bërë papëlqimin e saj apo jo”, ka thënë Curri.

Ajo thotë se numri i rasteve të dhunës seksuale është edhe më i lartë se sa që raportohet.

“Është e vërtet që shumë rrallë merret vendimi që të raportohet, mesatarisht kemi rreth 100 rasteve në vit, që mendoj se nuk është numër real. Zakonisht nëna është ajo që e kupton se bashkëshorti po abuzon me fëmijën, e tentojnë të mbajnë të fshehur me shpresën se rasti përmirësohet ose mund ta zgjidhin vet rastin”, është shprehur ajo.

Curri ka bërë të ditur se 90 për qind të viktimave janë femra, megjithatë thekson se askush nuk është i mbrojtur nga dhuna seksuale pa dallim moshe a gjinie.

“Shumica e viktimave janë femra, rreth 90 për qind prej tyre, por ka edhe viktima mashkullore, dhe të të gjitha moshave dhe askush nuk është i mbrojtur nga dhuna seksuale. Të gjithë duhet të përpiqemi që te mosha e mitur ata të mos bien pre e dhunës seksuale. Si institucion na intereson që të shohim në një pasqyrë të përgjithshme, dhe nëse mund të shohim defektin në mënyrë që të mund të bëjmë parandalimin e tyre”, ka thënë Curri.

Sipas saj edhe raportimi në media duhet të ndryshohet, pasi sipas saj ka një tendencë të komentuesve që fajin te vendosin gjithmonë te viktima.

E një gjë e tillë, sipas saj, ndikon që viktimat të mos raportojnë rastet e tyre.

“Shumë shpesh shoh se viktimat që i trajtojmë, në media e shoh se gjithmonë komentuesit kanë tendencë të hedhin fajin më tepër të viktima, e kjo është e dhimbshme. Duhet të mendohet se si po e plasojmë rastin, pasi një raportim i tillë e lëndon viktimën, e kjo dekurajon edhe viktimat e ardhshme. Ka raste kur vet viktima rritet, dhe vjen në një moshë të kuptojë se ajo çfarë prindi ka bërë nuk ka qenë e drejtë. Por, në shumicën e rasteve janë të rriturit ata që e raportojnë rastin”, u shpreh ajo.

Curri ka bërë të ditur se viktimat tani mund të zgjedhin se nga kush duan të ekzaminohen, gjë që është lehtësuese për viktimën.

“Ne kemi pasur raste kur kolegu kujdestar ka qenë i gjinisë mashkullore, dhe viktimat nuk janë ndjerë rehat e më është kërkuar që unë të bëjë ekzaminimin. Më vjen mirë që viktimat mund të zgjedhin se nga kush të ekzaminohen”, u shpreh ajo.

Curri thotë se e përbashkëta e të gjitha viktimave është se gjendja e tyre emocionale është shumë e rënduar, e që pastaj do të kërkonte edhe trajtim më vonë dhe “më vjen keq që ne nuk e kemi momentalisht një institucion për mbështetjen psikologjike të këtyre viktimave”.

Ajo thotë se ka raste kur viktima dërgohet në gjinekologji, e që sipas saj nuk do të duhej të ndodhte një gjë e tillë pasi provat shkatërrohen.

“Do të ishte mirë që në asnjë situatë, përveç nëse viktima ka ndonjë plagë të hapur, përndryshe viktima nuk duhet të përfundojë në asnjë institucion tjetër përveç tek Instituti i Mjekësisë Ligjore. Kemi pasur raste kur dhuna seksuale është ushtruar nga kujdestari, mësuesi, personel shëndetësor dhe besoj se ajo që zakonisht ndodh në publik është se tentohet të njolloset i gjithë institucioni. Por, gjëra të tilla ndodhin në krejt botën dhe sigurisht se është më e vështirë për fëmijën dhe për të tjerët që kthehet besimi në institucionin dhe ta kalohet frika dhe trauma e shkaktuar”, ka thënë Curri.

Më tutje ajo ka folur edhe për fushatën “Më thuaj me kohë”, që Instituti është duke e bërë për të vetëdijesuar shoqërinë.

“Ne kemi ndërmarrë fushatën ‘Më thuaj me kohë’ në mënyrë që publiku të shohë se çfarë ndodh me këto raste. Rreth 60 për qind të rasteve kanë qenë nga 11-16 vjeçare, e kjo ka qenë shokuese. Kjo është një dështim i plotë i shoqërisë. Kemi dashur që t’i qasemi direkt potencialisht viktimave. Kemi bërë ligjërata në shkolla fillore dhe të mesme, të cilëve u kemi dhënë informata për masat që duhet t’i ndërmarrin. E thirrja jonë ishte që të raportohen rastet”, u shpreh ajo.