Arbëri

VV-ja dhe LDK-ja të heshtura për marrëveshjen e koalicionit

Foto: Alban Bujari / Koha

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike nuk dihet kur do t’i rinisin negociatat për marrëveshjen e koalicionit, dy ditë pasi ato rezultuan të dështuara.

Ato nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e betonuara as pas takimit, që u konsiderua vendimtar dhe i cili u mbajt me prezencën e ambasadorëve të QUINT-it dhe shefes së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Derisa Isa Mustafa (LDK) e ka bërë të qartë se kusht i pakalueshëm për ta është që marrëveshja të bëhet sipas propozimit të fundit - ku kryeparlamentari iu kthehet për një vit, iu zotohen votat për presidentin, si dhe bëhet ndarja e barabartë e ministrive, shkruan Koha Ditore. Ai ka thënë se kurdo që Kurti është i gatshëm mund ta ftojë për ta nënshkruar marrëveshjen. Por mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund të ketë kthim para datës 26 dhjetor, kur në krye të Kuvendit u vendos Glauk Konjufca edhe me votat e LDK-së.

Megjithatë, asnjëri prej subjekteve nuk i ka shpallur të dështuara negociatat.

Nga zyra për informim e VV-së kanë thënë se nuk ka ndonjë zhvillim sa u përket takimeve me LDK-në.

Albin Kurtit i kanë mbetur edhe pesë ditë për t’ia propozuar për votim Kuvendit kabinetin qeverisës.

Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka shkruar në Facebook se populli kërkoi ndryshim, teksa partnerit të vetëm potencial për koalicion ia ka drejtuar një pyetje.

“Ku do të shkojë LDK-ja nëse ia mbyll derën Lëvizjes? Populli votoi ndryshim, jo lojërat e njëjta”, ka shkruar Aliu.