Arbëri

Sipas Ali Berishës së AAK-së, Kurti po kërkon ndihmën e atyre që deri dje i ka kundërshtuar

​Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha, thotë se është zhgënjyese që edhe pas më shumë se tre muajve prej kur janë mbajtur zgjedhjet, vendi vazhdon të jetë pa qeveri.

Ai thotë se Vetëvendosje e gjendur në situatë jo të favorshme për krijimin e koalicionit, po kërkon ndihmën e shteteve të Quintit që gjithmonë i ka kundërshtuar.

Berisha në një intervistë për KosovaPress ka komentuar takimin që ishte paralajmëruar të mbahet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së me shtetet e Quintit (këto ndërkohë kanë mohuar të jenë pjesë e këtij takimi – sqarim i Koha.net), ku thotë se është një tregues që Vetëvendosja diçka tjetër flet dhe ndryshe vepron.

Ai thotë se gjithmonë nga Vetëvendosja është proklamuar se ndërhyrjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë bazë për themelimin e institucioneve apo qeverisë, por që sipas tij kjo po del të jetë vetëm retorikë.

“Kjo që është proklamuar përpara që ndërhyrjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë bazë për themelimin e institucioneve apo qeverisë, apo koalicioneve të caktuara po del që ka qenë vetëm retorikë. Për ne ka qenë jashtëzakonisht befasuese informacioni i mbrëmshëm që nga Vetëvendosja është kërkuar që të ndërhyjnë ndërkombëtarët apo të ketë një takim me Quintin, ku konsiderohet si një presion ndaj partnerit për themelimin e institucioneve të Kosovës. Nëse sot ndodh koalicioni apo sot janë tendencat e para apo avancim në drejtim të themelimit të qeverisë, prapëseprapë mendoj që edhe për elektoratin e Vetëvendosjes, po edhe për popullatën në përgjithësi është një fakt zhgënjyes, pasi që edhe nëse themelohet kjo qeveri tash do të konsiderohet jo si një qeveri e një vullneti për bashkëqeverisje të dy partnerëve, por do të konsiderohet si një qeveri e presionit ndërkombëtar. Qysh në start ka hendikapet e veta të funksionimit të saj”, deklaroi ai.

Berisha thotë se kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, i gjendur në një situatë jo të favorshme të krijimit të koalicionit me LDK-në, po kërkon ndihmë nga ata që deri dje i ka kundërshtuar.

“Kjo po del që është një diskrepancë jashtëzakonisht e madhe mes asaj çka deklarohet, çka propagandohet në elektorat dhe në popull dhe veprimet. Do të thotë është një diskrepancë e madhe mes deklarimeve dhe veprimeve. Tani kur është gjendur në një situatë jo të favorshme të krijimit të koalicionit, po kërkon për ndihmë nga ata që deri dje i ka kundërshtuar njëfarë forme qoftë në ndërhyrje të proceseve të caktuara politike, qoftë në krijimin e qeverive të kaluara. Kjo në një farë forme po e shpërfaq atë që Vetëvendosja është në kundërshtim apo në diskrepancë mes deklarimeve dhe veprimeve të caktuara që po i ndërmerr”, thotë Berisha.

Nënkryetari i AAK-së thotë se është zhgënjyese që vendi edhe pas më shumë se tre muajsh pas mbajtjes së zgjedhjeve vazhdon të jetë pa qeveri.

Ai thotë se kërkesë e tyre në vazhdimësi ka qenë që institucionet të formohen sa më shpejtë, në mënyrë që të merren me problemet me të cilat ballafaqohet vendi.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë pritur që ato që janë proklamuar në fushatën elektorale dhe në vitet që ka funksionuar Vetëvendosja, ato që i ka deklaruar do të realizohen. Është shumë e pakuptimtë dhe zhgënjyese për qytetarët e Kosovës kjo vonesë. Do të thotë jo ajo që është proklamuar, që principet janë themelore për formimin e qeverisë, jo ato që janë proklamuar që programi dhe principet për themelimin e qeverisë janë themelore, mirëpo po del që pazaret e caktuara politike qenkan ato që po e determinojnë themelimin e qeverisë së re të Kosovës”, u shpreh Berisha.

Në rast të mos arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, Berisha thotë se Aleanca mbetet e hapur për të shqyrtuar të gjitha ofertat e mundshme për koalicion.

“Ne si Aleancë menjëherë pas marrjes së rezultateve të zgjedhjeve jemi përcaktuar që në këtë periudhë bazuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës ne jemi në opozitë, mirëpo duke i pa vështirësitë që ka Kosova tash në krijimin e qeverisë, Aleanca do të jetë e hapur në iniciativa të caktuara. Asnjëherë nuk do të ndërmarrim masa apo oferta të caktuara, mirëpo do t’i përgjigjemi iniciativave apo ofertave të caktuara që vijnë nga ata që kanë përgjegjësi për krijimin e institucioneve ose të qeverisë së Kosovës. Varësisht prej atyre kërkesave, iniciativave apo ofertave që vijnë nga të tjerët ne do t’i diskutojmë në organet e partisë”, vijoi ai.

Sa i përket mundësisë që Aleanca të votojë për një qeveri të pakicës, Berisha thotë se çdo iniciativë do ta trajtojnë në organet e partisë dhe konform qëndrimeve të organeve të partisë do të veprojnë edhe deputetët e AAK-së.

Ndërsa, Berisha thotë se nuk është mirë që Kosova të ketë qeveri teknike, pasi sipas tij vendi ka tema të rëndësishme që duhet të trajtohen dhe një qeveri teknike, sipas tij, do ta kishte problem trajtimin e këtyre temave.

“Unë besoj që Aleanca çdo iniciativë të caktuar do ta trajtojë në organet e partisë dhe varësisht prej qëndrimeve të organeve të partisë, atëherë konform atyre qëndrimeve edhe deputetët e Aleancës do të veprojnë në Kuvendin e Kosovës...E mira do të ishte që të krijohet qeveria, pasi që Kosovën e presin shumë probleme dhe një qeveri teknike e ka problem t’i trajtojë problemet fundamentale që tash për tash i ka Kosova. Kështu që, është shumë më mirë të krijohet një qeveri e cila do të përballet me këto probleme që tash për tash duhet t’i trajtojë”, thotë ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si opozitë, sipas Berishës, do të përkrahë të gjitha çështjet nacionale të vendit. Ai thotë se është e rëndësishme që të fokusohen në temat dhe të ofrojnë zgjidhje për problemet dhe jo të bëhen vetëm bllokues të punës së qeverisë.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, AAK ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, ku Berisha thotë se po ndërmarrin reforma të shumta me qëllim që të forcohen si parti.

Ai përmendi se është ndërruar statuti i partisë dhe rregulloret e partisë për zgjedhje. Berisha u shpreh se tashmë një delegat do të ketë një votë dhe kjo sipas tij, do të ndikojë që të ketë një lidership që ka besimin nga të gjitha nivelet.

“Unë besoj që këto kanë qenë jashtëzakonisht të nevojshme për Aleancën, pasi që një farë forme e kemi konsideruar që në këtë periudhë, sidomos të periudhës së qeverisjes lideri i partisë, po edhe shumë funksionarë të caktuar apo bartës të institucioneve të Kosovës në këtë periudhë kanë qenë më të shkëputur nga aktivitetet partiake dhe nga aktivitetet në bazë. Kjo në një farë forme e ka dobësuar strukturën e Aleancës dhe funksionalitetin e saj dhe me këtë proces që tash është do të kemi një ndërlidhje më të madhe me bazën, ku komunikimi mes lidershipit të partisë dhe bazës do të jetë më i drejtpërdrejtë. Pasi që kjo besoj që na ka hendikepuar dhe jo gjithmonë ato që kanë qenë arritjet e qeverisë së kaluar, do të thotë të qeverisë Haradinaj, ku janë bërë shumë punë të mëdha në atë qeveri, jo mjaftueshëm kemi mundur t’i transmetojmë tek njerëzit, te baza e partisë, tek njerëz it e terrenit. Kështu që, kjo besoj që do të ndikojë në radhë të parë në lidhje më të madhe të lidershipit të partisë me bazën dhe në radhë të dytë, që demokracia në parti të zhvillohet më fuqishëm”, tha ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit doli partia e katërt me 11.51% të votave dhe në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me 13 deputetë./KsP.