Arbëri

Rama thotë të ketë diskutuar me Merkelin për Mini-Schengenin Ballkanik, sërish akuzon liderët kosovarë

Foto: Reuters

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka thënë se përpos diskutimeve për çështjet e Shqipërisë, në takim është folur edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Rama, në një intervistë për TopChannel, ka thënë se Merkeli mbështet Mini-Schengenin Ballkanik.

“Natyrisht kancelarja është tejet mbështetëse për këtë proces. Madje ne diskutuam dhe ky proces do të gjejë një mbështetje gjithmonë dhe më të madhe. Konsiderohet një nismë shumë domethënëse dhe fakti që kjo nismë u ndërmor nga tre vende, por jo si një nismë ekskluzive, por një nismë gjithëpërfshirëse ku të gjitha vendet janë të ftuara dhe fakti që në fund të ditës kjo nismë nuk është asgjë tjetër veçse jetësimi i nismave të dakordësuara gjatë procesit të Berlinit e bën kancelaren shumë të inkurajuar dhe shumë të interesuar për procesin”, ka thënë mes tjerash Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se kancelarja gjermane e kupton shumë mirë dhe e di shumë mirë se çfarë hapi i jashtëzakonshëm është bërë në raport me Serbinë duke e bindur Serbinë që të heqë dorë nga vetoja ose nga refuzimi për të lejuar dhe lëvizjen e lirë të njerëzve që do të thotë “lëvizja e lirë e njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

Por, Rama tha se për fat të keq, “në Prishtinë nuk duan ta kuptojnë dhe kujtojnë se duke e kthyer këtë në një debat se kush është tradhtari dhe kush është patrioti, po i bëjnë ndonjë nder apo të mirë Kosovës”.

“Jo, e vërteta është që po e dëmtojnë Kosovën, po e largojnë atë nga miqtë dhe partnerët e mëdhenj të saj dhe po ia ulin në mënyrë krejt të padrejtë reputacionin e madh që Kosova fitoi pas marrjes së të drejtës për të qenë një shtet i lirë dhe sovran. Kështu ne do të vazhdojmë me procesin dhe patjetër që nxitja e gjithanshme edhe nga BE edhe nga gjermania nga SHBA pa diskutim do të jetë që procesi të ecë më tutje”, deklaroi Edi Rama.

Ndërkaq, ai tha se një e dhënë domethënëse e ditëve të fundit është shtysa e fortë e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, duke i detyruar palët, e madje edhe KFOR-in, të ulet në tavolinë me Beogradin për të nënshkruar linjën e lëvizjes në linjën ajrore Prishtinë –Beograd dhe më pas në hekurudha.

Kjo lëvizje, sipas Ramës, “u përshëndet me të drejtë nga ata të cilët ndërkohë nuk lenë baltë pa hedhur mbi një proces që e kam nxitur unë dhe që shkon në të njëjtin drejtim”.

“Dhe kjo është diçka që përfitoj nga rasti ta them edhe pse nuk ishte pjesë e drejtpërdrejt e diskutimeve të kancelares që është për të ardhur keq madje për të qenë të dëshpëruar me këtë dyfytyrësi që nga një anë shfaq buzëqeshjen të zgjatur servile dhe nga ana tjetër shfaq dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb”, theksoi Rama në këtë intervistë.