Arbëri

Borrelli në Prishtinë e Beograd në fundjavë për rifillimin e negociatave

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtëm dhe siguri, Josep Borrell, do të qëndrojë në Kosovë dhe në Serbi në fund të kësaj jave, kanë bërë të ditur në selinë e kësaj organizate, raporton Evropa e Lirë, transmeton Koha.net.

Borell do të qëndrojë së pari në Prishtinë e pastaj në Beograd, ka bërë të ditur zëdhënësi Peter Stano. Sipas tij, kjo vizitë është shenjë e përkushtimit të shefit të diplomacisë së BE-së ndaj dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Josep Borrell sot po qëndron në Berlin, ku po zhvillon takime me zyrtarë gjermanë, teksa në agjendën e tij ndodhet edhe një bisedë me emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas zëdhënësit të Borrellit, gjatë qëndrimit në Prishtinë dhe Beograd do të shqyrtohen mundësitë e rifillimit të dialogut, i ndërprerë në nëntor të 2018-s, kur Kosova vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Zëdhënësi Stano ka hedhur poshtë lajmet se BE-ja është shkyçur nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“BE-ja, gjithsesi është aktive në këtë proces”, ka thënë Stano.