Arbëri

Shqipëri, largohen të rinjtë e vijnë të moshuarit

Shqipëria do t’i përjashtojë nga tatimi mbi të ardhura shtetasit e huaj dhe shtetasit e huaj me origjinë shqiptare që përfitojnë pension, si kusht lehtësues për vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Drafti i Qeverisë Shqiptare, propozuar nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko, që gjendet në procedurë miratimi në Parlament, synon që të nxisë më shumë turizmin e të moshuarve drejt Shqipërisë, në një kohë kur vendi përballet me emigrim konstant veçanërisht të të rinjve, që vendosin të largohen kryesisht drejt vendeve të BE-së për një të ardhme më të mirë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në relacionin përcjellës të hartuesve të aktit normativ, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, thuhet se ky akt ka për qëllim përcaktimin dhe zbatimin e normave për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për shtetasit e huaj dhe shtetasit e huaj me origjinë shqiptare që përfitojnë pension, me vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Duke realizuar këtë qëllim, Qeveria Shqiptare zgjeron hapësirën e lehtësimeve e të mundësive për shtetasit e huaj dhe shtetasit e huaj me origjinë shqiptare për të zgjedhur Shqipërinë si vendbanimin e tyre pas daljes në pension. Efektet e pritshme të aktit normativ janë përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare ose shtetasit e Bashkimit Evropian me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, të cilët marrin pension sipas legjislacionit të vendit, ku e përfitojnë atë dhe shtetasit e huaj, të cilët kanë përfituar shtetësinë shqiptare me vendqëndrim në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në relacionin përcjellës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)