Arbëri

Djali i çiftit të vrarë dje në Prizren është në kërkim nga Prokuroria

A. H., 35-vjeçar, djali i çiftit që u gjet i vdekur të mërkurën në Prizren, është në kërkim në lidhje me vrasjen e tyre.

Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar për KTV-në dyshimet në drejtim të të cilave po punon.

Kryeprokurori i Themelores në këtë qytet, Admir Shala, ka thënë se A. H. ka qenë duke jetuar së bashku me çiftin dhe se në ditën kur janë gjetur trupat, nuk është gjetur aty. Ai thotë se djali i çiftit mund të ketë dalë përmes Maqedonisë së Veriut në Greqi. 

Shala ka thënë se derisa nuk dihet vendndodhja e tij, nuk mund të japë detaje.

Tutje, ai ka thënë që me gjetjen e djalit të çiftit, do të mund të zbardhen të gjitha në lidhje me këtë rast.

Derisa, sipas Policisë së Kosovës, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe janë konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.

Vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, është bërë lajm në mediat e këtij shteti.

Policia suedeze ka thënë se është e përfshirë në hetime.

“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, ka thënë zëdhënësja Nadia Jaber.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Linn Duvhammar ka thënë se Qeveria suedeze është në dijeni të ngjarjes.

D. H., rreth 60-vjeçar, dhe S. H., 55-vjeçare, burrë e grua, mëngjesin e së mërkurës, janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit.