Arbëri

Grenell, Thaçit: Progresi në dialogun me Serbinë përfshin heqjen e tarifave

Descriptive Text

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmjen e sotme priti në një darkë pune të dërguarin e Posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Të dy folën për arsyen e këtij takimi, duke thënë se nuk do të diskutojnë për çështje lokale politike, por për dialogun me Serbinë.

Thaçi, ndërkaq, pas takimit shkroi një status në Twitter, ku e falënderoi Grenellin për takimin.

Por, ndonëse reagimi i Grenellit ishte i shkurtër, la një mesazh të qartë – heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

“Kisha një takim të frytshëm me Richard Grenellin për të diskutuar rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E falënderova atë për këtë vizitë dhe përkushtim në këtë proces. Theksova urgjencën për vazhdimin e dialogut dhe se roli i presidentit Donald Trump në arritjen e marrëveshjes përfundimtare është i domosdoshëm”, shkroi Thaçi në Twitter, raporton Koha.net.

E duke iu përgjigjur komentit të Thaçit, Ambasadori amerikan në Gjermani, i dërguar special i Trumpit për dialogun Kosovë - Serbisë, tha se këtu duhet të përfshihet edhe “heqja e tarifave” ndaj mallrave serbe.

“Faleminderit zotëri President. Duhet të bëjmë progres – i cili përfshin heqjen e tarifave”, ka komentuar Grenell.

Image

Në adresimin e tyre mediave para nisjes së takimit, asnjëri nga ta nuk e përmendi heqjen e taksës, mirëpo Grenell tha se është i interesuar që të ketë zhvillim ekonomik në të dyja vendet.