Arbëri

Deputeti i LVV-së dhe ai i LDK-së, të bindur se arritja e koalicionit është afër

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë ka ende kohë për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në.

Në Rubikon të KTV-së, Basha tha se gati gjysmë-milioni qytetarë kanë votuar që këto dy parti të qeverisin me vendin.

“Përfundimisht ne kemi dy liderë të shumë votuar, dhe ky përkushtim që të çojmë amanetin e qytetarëve në vend vazhdon të jetojë. E kuptoj dhimbjen e hidhërimin e qytetarëve. Me lindjen e qeverisë së re, këto do të harrohen. Mendoj se kemi me arrit një marrëveshje dhe qeverisja do të jetë shumë e mirë”, tha më tej Basha.

Ai u shpreh i bindur se marrëveshja për bashkëqeverisje do të arrihet, duke shtuar se negociatat LVV-LDK nuk kanë përfunduar negociatat.

“Fillimisht duhet të shtirret debati brenda partisë sonë. Zgjidhje do të ketë”, theksoi ai.

Ndërkaq, deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka thënë se LDK-ja, që nga fillimi ka treguar vullnetin për koalicion me Vetëvendosjen, e kjo, siç tha ai, është nisur edhe nga koha kur këto dy parti ishin në opozitë.

“Kjo është praktikë e re negociatash rreth programit, kurse tani edhe për ndarjen e përgjegjësive që ka vazhduar pa ndërmjetësim ndërkombëtar, e për këtë po e ceki me qëllim. Kjo është praktikë e mirë. Është ndihmë e ndërkombëtareve, e jo presion”, tha Avdyli.

Duke shikuar historikun e negociatave ndërmjet VV-së e LDK-së, Avdyli tha se është shumë më afër që të bëhet se sa të mos bëhet.

“Kanë mbetur edhe disa çështje të vogla, për mendimin tim. LDK-ja nuk ka opsion tjetër, e opsioni ynë është ai që qytetarët kanë kërkuar. E ndër premtimet e tjera të LDK-së ka qenë se PAN-i do të shkojë në opozitë. E ky premtim nga kandidatja për kryeministër, Vjosa Osmani, dhe i yni do të jetësohet”, shtoi ai.

Sipas Avdylit, oferta e LDK-së ndaj VV-së “është mjaft e mirë” dhe “ofron një zgjedhje të këtij ngërçi të vogël për të cilin qytetarët po presin”. Ai tha se do të gjendet zgjidhja.

Deputeti i LDK-së thotë se ka një qëndrim shumë pozitiv rreth krijimit të këtij koalicioni.

“Normalisht kontributi i Mustafës, Osmanit e Hazirit, mendoj se do të gjendet hapësira për gjetjen e një marrëveshjeje. Nuk besoj se VV-ja e do një partner të pafuqishëm brenda qeverisë. Natyrisht se asaj i takon të formojë qeverinë, e kryeministri i takon asaj. Normalisht ka qenë një vendim jo i mirë në krijimin e koalicionit (zgjedhja e kryeparlamentarit)”, tha më tej ai.