Arbëri

ASHNA nis ndërtimin e një objekti pa leje, nuk tregon se për çka i duhet

Një objekt përreth dykatësh gjendet në oborrin e Agjencisë së Shërbimeve të Navigimit Ajror.

Por, e gjithë kjo ndërtesë po del të jetë se nuk ka leje ndërtimore.

Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror ka kohë që ka nisur ndërtimin e një objekti në oborrin e kësaj agjencie. Por objekti në fjalë nuk ka fare leje ndërtimore. Mungesa e lejes ndërtimore ka bërë që Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit t’i ndalojë punimet në këtë objekt, raporton KTV.

Deri në nëntor të vitit 2019, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit nuk ishte fare e njoftuar se Agjencia e Navigimit Ajror po ndërtonte objekt ku do të vendoseshin sigurimi dhe zyrat e Administratës së ASHNA-së.

Ministria e Mjedisit ka konfirmuar për KTV-në se pasi inspektorati i Ministrisë kishte konstatuar se punimet në këtë ndërtim po bëheshin pa leje, më 29 nëntor, Inspektorati ka ndërprerë punimet në këtë objekt.

“Inspektorati i MMPH-së ka ndërprerë punimet ndërtimore në ndërtimin e objektit të ASHNA-së, me dt. 29.11.2019. Arsyeja e ndalimit të punimeve është ndërtimi pa leje ndërtimore. Po ashtu, në riinspektimin e zhvilluar më dt. 03.12.2019, kemi konstatuar se është respektuar urdhëresa për ndalimin e punimeve. Investitori është urdhëruar që të aplikojë për t’u pajisur me leje ndërtimore, sipas dispozitave të UA 05/2017, mirëpo a ka aplikuar duhet ta konfirmoni te DPHNB”, ka thënë Ministra e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

E vetëm pak ditë pasi u ndaluan punimet, zyrtarë të ASHNA-së ishin mobilizuar për të aplikuar sipas ligjit.

Ministria e Mjedisit ka treguar se vetëm një muaj pas, në dhjetor, kanë marrë kërkesë nga zyrtarë të ASHNA-së për kushte ndërtimore.

Sipas kërkesës, aneksi i ri do të jetë i dedikuar për sigurim dhe për zyrat e administratës për ASHNA.

“Më datë 26.12.2019 numër të protokollit 7501/19, aplikuesi Naim Bazaj, i autorizuar nga ASHNA, ka aplikuar me kërkesë për Kushte Ndërtimore - Zona e Aeroportit (ZK Vrellë e Goleshit) në Lipjan, në parcelat: 00089-3 dhe 00089-4 për ndërtimin e projektit ‘Objekti i Sigurimit dhe Zyrave të Administratës për ASHNA’, në MMPH”, ka thënë më tej ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Por, Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror, përmes një përgjigjeje të gjatë për KTV-në, nuk ka sqaruar lëshimin e bërë për t’u pajisur me leje.

Aty, objektin pa leje të destinuar për administratë të tyre, e kanë lidhur me bllokimin që Serbia po ia bën hapësirës ajrore të Kosovës.

“Siç edhe jeni të njoftuar, që nga përfundimi i luftës dhe hapja e Aeroportit për fluturime ndërkombëtare, Serbia ka bllokuar hapësirën e vet ajrore për fluturimet që për destinim ose nisje kanë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës - ANP. Për të adresuar këtë problem me rëndësi të madhe, duke qenë se e bën ANP jokonkurrues në rajon, ASHNA është kyçur në një proces të udhëhequr nga NATO, e që për qëllim ka Normalizimin e Hapësirës Ajrore të Kosovës. Procesi i normalizimit, përveç që është proces negociatash për arritjen e marrëveshjeve, kërkon dhe investime në infrastrukturë, në mënyrë që ASHNA të jetë e gatshme për marrjen e përgjegjësive në menaxhimin e Hapësirës Ajrore. Në kuadër të kësaj, projekt me rëndësi jetike për ASHNA është edhe ai i zgjatjes së pistës, i miratuar nga Ministria e Infrastrukturës më 4.08.2017 dhe i inicuar me vendimin 06/61 më datë 1.12.2015 të Qeverisë së Kosovës . Në këtë projekt, ASHNA ka pasur të përfshira 14 nënprojekte të saj, e që për qëllim kanë ngritjen e kapacitetit për të ofruar shërbime më cilësore. Zbatimi i gjithë këtyre projekteve, përveç ngritjes së kapaciteteve operacionale, ka rezultuar edhe në kërkesa për mjedise shtesë për akomodimin e personelit operativ si dhe pajisjeve përcjellëse operative”, ka thënë Agjencia e Shërbimeve të Navigimit Ajror.

Më tutje, në përgjigje thuhet se në mesin e projekteve me rëndësi të ASHNA-së përveç zgjatjes së pistës dhe 14 nënprojekteve të tjera që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve për shërbime më cilësore, është edhe ndërtimi i objekteve përcjellëse.

Në mesin e këtyre objekteve janë edhe ai i Sigurimit dhe Teknologjisë Informative, objekti për vendosjen e sistemeve teknike dhe kati i dytë i objektit ekzistues, për vendosjen e sistemeve operative dhe stafit operativ” .

“Objekte përcjellëse të planifikuara apo në realizim e sipër në kuadër të procesit të normalizimit të hapësirës ajrore dhe zgjatjes së pistës janë: Objekti i Sigurimit dhe Teknologjisë Informative, objekti i për vendosjen e sistemeve teknike dhe kati i dytë i objektit ekzistues, për vendosjen e sistemeve operative dhe stafit operativ”, ka thënë më tej ASHNA.

Udhëzimi administrativ për mbikëqyrje inspektuese dhe procedurën për lëshimin e certifikatës së përdorimit, parasheh se në rastet kur ndërpriten punimet në një ndërtim pa leje, atëherë pronari i tokës në një afat prej 30 ditësh, duhet të aplikojë për leje.

Sipas nenit 16 të këtij udhëzimi, urdhri për ndalim të punëve do të vazhdojë deri sa të lëshohet leja ndërtimore.