Arbëri

LDK-ja e quan pozitive linjën Prishtinë-Beograd, VV s’deklarohet, e Lekaj thotë se taksa s’duhet të hiqet

Foto: Alban Bujari / KD

Marrëveshja për operimin e kompanisë ajrore “Lufthansa” në linjën Prishtinë-Beograd, të nënshkruar dje në një ceremoni të veçantë në Ambasadën amerikane në Berlin, po konsiderohet një hap pozitiv për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtues të institucioneve të vendit deklarojnë se aviokompania gjermane “Lufthansa” synon të hap korridorin ajror Prishtinë-Beograd.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, duke komentuar kushtëzimet e autoriteteve të Serbisë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, tha për KosovaPress se nuk duhet të bëhet kompromis për heqjen e taksës 100 për qind.

Lekaj thotë se falë përkrahjes së SHBA-së, kjo letër e përafrimit do të ndikojë dukshëm edhe në krijimin e korridorit për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Serbisë nga aviokompanitë që aterrojnë në aeroportin “Adem Jashari”, si dhe do të shkurtojë hapësirën edhe në kohë për rreth 30 minuta, por edhe për zbritjen e çmimeve të biletave.

“Ne kemi vetëm një fillim të mbarë, Beograd – Prishtinë dhe Prishtinë – Beograd, dhe nuk është për vendet e pesta për hapësirën ajrore, por ky është një hap shumë përpara që ne të krijojmë korridore në këtë drejtim dhe të përdoret edhe hapësira ajrore e Serbisë për aviokompanitë që aterojnë në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’”, tha Lekaj.

Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve shtetërorë serbë se për funksionalizimin e kësaj linje duhet hequr taksa 100 për qind, Lekaj tha se “është një spekulim”.

“Asnjëherë nuk është përmendur heqja e taksës për firmosjen e kësaj marrëveshjeje. Është e vërtetë se unë e kam autorizuar drejtorin e Aviacionit Civil, Eset Berishën, që të vejë firmën, dhe me autorizimin tim është kryer kjo punë. Por, në asnjë moment nuk është diskutuar heqja e taksës. E them, se në këtë drejtim nuk kisha bërë kompromis”, thotë Lekaj.

Kosova aktualisht ka vetëm një korridor ajror me Maqedoninë Veriore, megjithëkëtë ministri në detyrë Lekaj nuk përjashton mundësinë që Kosova shumë shpejt do të ketë korridor ajror edhe me Shqipërinë.

“Ne nuk mund të ndalemi, sepse me Shqipërinë nuk kemi asnjë problem sa i përket korridoreve dhe raporteve tona. Por, mund të them se ne po insistojmë që ne të marrim përgjegjësi edhe për hapësirën e ulët ajrore, që është përgjegjësi e NATO-s. Ne jemi duke komunikuar, se kur do të ndodhë do të informoheni shumë shpejt”, deklaron ai.

Për këtë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu për KosovaPress ka thënë se synimet për hapje të korridorit ajror me Serbinë janë pozitive, dhe LDK-ja do të kontribuojë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Çdo lëvizje pozitive që çon kah normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët, ne e vlerësojmë si pozitive dhe sigurisht Lidhja Demokratike e Kosovës kontribuon në këto çështje”, deklaroi Veliu.

Ndërsa, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse janë kontaktuar nga KosovaPress, nuk kanë dashur ta komentojnë këtë marrëveshje me Serbinë për shfrytëzimin e linjës ajrore Kosovë-Serbi.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka quajtur hap gjigant nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale.

Ky hap është mirëpritur nga institucionet e Republikës së Kosovës, të angazhuar për normalizim të hapësirës ajrore, meqë shënon njohje të autoriteteve të aviacionit civil mes dy shteteve dhe bashkëpunim mes tyre, pas 20 vjetëve. Përmes kësaj linje, mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave edhe përmes transportit ajror.

Kompania ‘Lufthansa’ duhet të kërkojë aprovimet dhe licencat për të gjitha fluturimet, sipas kërkesave, rregulloreve dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, sipas marrëveshjes për ECAA.