Arbëri

Kryesia e re e Kuvendit ia bën sefte, Konjufca u ikën mediave e Krasniqi e kritikon VV-në

Në aktivitetin e parë publik si kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka zgjedhur t’u shmanget mediave.

Nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me diskutimet në mbledhjen e parë të kryesisë dhe rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, raporton KTV.

Duke qenë se pozita e tij vazhdon të jetë kusht i LDK-së, për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, Konjufca nuk u është adresuar fare mediave, siç rëndom ndodh pas çdo mbledhjeje të kryesisë.

Njëjtë si Konjufca, ka vepruar edhe Kujtim Shala nga LDK-ja, i cili gjithashtu u është shmangur mediave.

Por, për dallim prej tyre, para gazetarëve foli nënkryetari i Kuvendit, Memli Krasniqi.

Duke i komentuar videomesazhet e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti drejtuar LDK-së, Krasniqi tha se jeta institucionale nuk është videolojë.

I pyetur se a e voton PDK-ja edhe opsionin e qeverisë së pakicës, nëse nuk arrihet marrëveshja Vetëvendosje - LDK, Krasniqi ka thënë se qëndrimi i PDK-së është tashmë i ditur.

Për shkak se akoma nuk dihet se kush është zyrtarisht pozitë e opozitë në Kuvend, kryesia e legjislaturës VII, ka marrë vendim të përkohshëm për përbërjen e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.