Arbëri

Italia konfirmon mbështetjen për integrimin progresiv evropian të Kosovës

Në vazhdën e takimeve me përfaqësues të misioneve të huaja diplomatike në vendin tonë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

Në njoftimin për media nga Kuvendi, thuhet se diplomati italian e uroi kryeparlamentarin Konjufca me rastin e zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Konjufca, thuhet në kumtesë, falënderoi ambasadorin e Italisë për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Kosovës në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke shtruar nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Konjufca tha se për Kosovën është me interes jetik mbështetja e Romës zyrtare, si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në aspektin e brendshëm, siç janë zhvillimi ekonomik, ngritja e mirëqenies së qytetarëve, forcimi i sundimit të rendit e të ligjit, si dhe konsolidimi i mëtejmë i demokracisë.

Ambasadori Orlando, nga ana e tij konfirmoi gjithashtu angazhimin e Italisë për integrimin progresiv evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Konjufca dhe Orlande ndanë mendim të përbashkët se marrëdhëniet e mira dhe të gjithanshme midis Kosovës dhe Italisë, mund të zgjerohen dhe forcohen më tej në fushat me interes reciprok. ​