Arbëri

Thaçi në konferencën e prokurorëve, rikujton se Kosova ka përmbushur kriteret për viza

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në konferencën vjetore të prokurorëve deklaroi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave duke përfshirë edhe luftën kundër krimit e korrupsionit, por që tha se vendimmarrja nuk po ndodh për shkak të mosunitetit të shteteve të BE-së.

Thaçi tha se Kosova si asnjë vend tjetër ka kaluar nëpër sistem te drejtësisë për 20 vite. Derisa ka kritikuar për siç ka thënë amnistisë që i është bërë Serbisë për krimet që ka kryer në Kosovë.

“Do të ishte jetike që të kemi një këmbëngulësi më të madhe që të vazhdohet ky proces në mënyrë më dinamike, më gjithëpërfshirëse dhe që të kemi një konkretizim. Këtu nuk mund të mos shpreh shqetësimin që njerëzit nuk janë të kënaqur me drejtësi, ose viktimat kërkojnë drejtësi. Por që a kanë ndodhur lëshime në këtë proces, këtë nuk mund ta mohojë askush. Lëshime edhe në kuptimin edhe të mos efikasitetit në punë, po edhe të një selektimi etnik në drejtësi. Ne jemi dëshmitar se kemi pasur rreth 13 mijë civil të vrarë në luftë nga shteti i Serbisë, mbi 20 mijë gra të dhunuara nga Serbia, rreth 1 mijë fëmijë të vrarë, mbi 400 masakra të evidentuara. Pikërisht këto dobësi që kanë ndodhur me ose pa qëllim, kanë krijuar një rrethanë që po e vështirësojnë pajtimin. Për këto krime nuk është dënuar askush. Më tepër janë dënuar shqiptarët, sesa ata që kanë kryer spastrim etnik. Është një shqetësim, edhe drejtësia e UNMIK dhe EULEX ka konstatuar se ata që kanë kryer krime nga Serbia në Kosovë, nuk duhet të merret EULEX-i dhe UNMIK në Kosovë, por Serbia, kjo është amnisti. Cili është rezultati nga kjo heshtje ndërkombëtare, tash jo që kemi mohim, por me krenari mohojnë krimin në Kosovë. Jam mirënjohës që shtetet e Quintit kanë reaguar për masakrën e Reçakut", tha ai.

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, tha se çelësi në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

"Lufta kundër korrupsionit, publiku është duke pritur që nga prokurorët të ndodh pastrimi nga korrupsioni, nepotizmi. Çelësi në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimit të pasurisë. Është me rëndësi që prokurorët të sigurojnë mbrojtjen e duhur të informatorëve. Gjatë vitit të kaluar prokuroria ka treguar përkushtim në luftën kundër korrupsionit, janë 400 dosje penale me 771 persona", tha Lumezi.

Lumezi në “Konferencën vjetore të prokurorëve”, për vitin 2019, pati një mesazh për kryeprokurorët e rinj. Sipas tij, ata i presin ditë të vështira kundër krimit e korrupsionit.

“Dua të theksoj se më e fortë se çdo sfidë apo mëdyshje është forca dhe uniteti i sistemit prokurorial, i cili edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe ne ditët e para të këtij viti ka treguar imunitet ndaj kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme. Ne kemi treguar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit. Prandaj, duhet të jemi unik për të treguar forcën që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit”.

Ai ka shtuar se janë përpjekur që të jetë të pavarura edhe përkundër presioneve. Por Kryeprokurori i Shtetit po krenohet me punën e bërë gjatë vitit të kaluar.

Ndërkaq Kyesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka thënë se do të vazhdojnë ta avancojnë sistemin prokurorial, duke aplikuar standarde të larta në rekrutimin, vlerësimin, disiplinimin dhe trajnimin e prokurorëve.

Ai tutje ka premtuar se do ta ngritin nivelin e llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve dhe transparencës.