Arbëri

Dy vjet nga vrasja e Ivanoviqit, Rakiq kërkon që në hetim të përfshihen edhe ndërkombëtarët

Duke ndezur qirinj e duke vënë lule në vend të ngjarjes, në Mitrovicën Veriore, është kujtuar politikani Oliver Ivanoviq, në dyvjetorin e vrasjes së tij.

Nderime për serbin e vrarë bënë edhe anëtarët e Listës Serbe, pavarësisht se Ivanoviqi njihej si kundërshtar dhe rival i kësaj partie.

Ata kanë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të përfshihet në hetimin e vrasjes së tij.

Bashkëpunëtorja shumëvjeçare e Ivanoviqit, Ksenija Bozhoviq, e cila tashmë është anëtare e Listës Serbe, ka thënë se aktakuza e ngritur kundër 6 serbëve tregon se çfarë pune bëjnë institucionet kosovare, raporton KTV.

Ndërkaq, kritika për punën e autoriteteve të Kosovës në hetimin e këtij rasti pati edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

“S’do të heqim dorë nga kërkesa për drejtësi dhe qysh sot kemi dërguar letër në adresën e bashkësisë ndërkombëtare duke i bërë thirrje që edhe ajo të përfshihet e të dërgojë ekipin e vet hetues për t’i ndihmuar Prishtinës, nëse kjo e fundit nuk është në gjendje që të zbulojë vrasësit. Pra, që bashkësia ndërkombëtare të përfshihet në hetimet e mëtutjeshme”, ka thënë ai.

E në një intervistë për mediat serbe, bashkëshortja e Oliver Ivanoviqit, Milena Ivanoviq ka thënë se edhe ajo vetë është duke tentuar të mbledhë dëshmi për vrasjen e Ivanoviqit dhe se në momentin që do të ketë diçka konkrete do të publikojë emra.

“Tani e kemi aktakuzën e cila u ngrit nga ana e organeve hetuese të Prishtinës, por në atë aktakuzë nuk përmendet emri i vrasësit, e as emri i urdhëruesit të saj. Janë disa njerëz që përmenden aty, të cilët thuhet se morën pjesë në ndihmë në vrasje. Mendoj se dy vjet është periudhë e gjatë që të kemi informata kaq sipërfaqësore. Më vjen keq që të gjitha këto më detyrojnë të dyshoj në sinqeritetin e organeve hetuese të Prishtinës, por absolutisht besoj që e vërteta do të dalë në pah dhe do të kemi emrat e vrasësve të Oliverit. Këtë e meriton edhe ai edhe familja e tij”, ka thënë ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vrasjen e Ivanoviqit, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

Nedelkso Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsovic, Dragisha Mirkovic, Zarko Jovanoviq, Rade Basara, Zvonko Veselinoviq e Milan Radojiçiq, akuzohen për 8 vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasje e rëndë, pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal e keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Por, në arrati vazhdojnë të jenë Radojiçiq, Veselinoviq dhe Bojiq, shef i operativës së Policisë për komunat veriore dhe ndaj tyre ekziston edhe fletarrest ndërkombëtar.

Derisa më 30 dhjetor dështoi të mbahej shqyrtimi fillestar në këtë rast, pasi Prokuroria dorëzoi një aktakuzë me ndryshime dhe nuk e përktheu atë dhe disa prova në gjuhën serbe.

Oliver Ivanoviq ishte ekzekutuar me armë zjarri më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij.

Ai përballej me procesin gjyqësor për krime lufte, nën akuzën se kishte urdhëruar vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicë, në vitin 1999.