Arbëri

Dështon sërish seanca gjyqësore ndaj Darko Tasiqit për krimet në Krushë

Një gazetar britanik pritet që muajin e ardhshëm të dëshmojë për ngjarjet dhe atë çfarë kishte parë në Krushë të Vogël, para 20 vjetësh.

Që nga prilli i vitit të kaluar, prokuroja speciale, Drita Hajdari, ka propozuar gazetarin John Sweeney si dëshmitar në gjykimin ndaj serbit Darko Tasiq, raporton KTV.

Dëshminë e tij e sheh si shumë të rëndësishme, prokurorja Hajdari.

Por propozimi i Hajdarit u kundërshtua nga pala mbrojtëse e të akuzuarit.

Në arsyetimin e tij, avokati Lubomir Pantoviq, ndër të tjerash, theksoi se dëshmitari nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me krimet në Krushën e Vogël.

“Ne i kemi transkriptet e deklaratave të këtij dëshmitari, të cilat ai i ka dhënë në Hagë në lidhje me këtë rast. E dyta, në gjykatë e kemi parë filmin që e ka xhiruar ky dëshmitar në Krushën e Vogël. E treta ky dëshmitar nuk është dëshmitar okular i rastit dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me krimet në Krushë. Të gjitha ato që i di ky dëshmitar janë indirekte, të marra nga dora e dytë nga dëshmitë e të tjerëve”, tha Pantoviqi.

Por, sipas Hajdarit, ai mund të dëshmojë atë çfarë nuk është parë në dokumentar.

Ajo, gjatë gjykimit, pranoi një telefonatë nga gazetari, ku u sigurua që ai do të jetë i pranishëm në seancën e radhës.

Hajdari, si provë të këtij rasti kishte të propozuar dokumentarin e John Sweeneyit dhe kishte insistuar që të dëgjohet edhe si dëshmitar, të ftohet në gjykatë ose të bëhet dëgjimi i tij përmes video-konferencës.

Disa seanca në këtë gjykim janë shtyrë shkaku i mospranisë së tij.

Ai pritet të dëshmojë më 6 shkurt, kur edhe do të mbahet seanca e radhës në këtë rast.

Ndërkohë Tasiqi, i cili deri në vitin 1999 kishte jetuar në Krushë të Vogël bashkë me familjen e tij, akuzohet nga Prokuroria Speciale për krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare aty.