Arbëri

QKUK: Konfirmohen 11 raste me gripin sezonal

Foto: Koha

Në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës është formuar konsiliumi, i cili po përcjell gjendjen me gripin sezonal.

Pas analizës së bërë nga konsiliumi, konstatohet se në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nga 1 dhjetori 2019 deri me 15.01.2020, janë konfirmuar 11 raste me gripin sezonal (Influenca A).

“Prej tyre, një pacient rreth 80 vjeç, i cili kishte edhe probleme tjera shëndetësore, ka vdekur në muajin dhjetor”, thuhet në komunikatën nga QKUK.

QKUK thotë se për momentin në Klinikën Infektive janë të shtrirë për trajtim 4 raste, 3 prej tyre janë në gjendje stabile, ndërsa një rast është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në Mjekimin Intensiv të klinikës.

“Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike dhe Klinika Infektive kanë kuadër të mjaftueshëm profesional, që po merren me përcjelljen dhe menaxhimin e rasteve”, përfundon njoftimi.