Arbëri

Bie niveli i ujit në liqene, vazhdon kundërshtimi për ndërtimin në Badoc

Në kohën kur rreth liqenit të Badocit po planifikohet ndërtimi i një lagjeje luksoze, qindra banorë të rajonit të Prishtinës pritet të përballen me reduktime të ujit.

Rënia e nivelit të ujit nën 10 metra të dy liqeneve, atij të Badocit dhe Batllavës, ka bërë që ujësjellësi të bëjë planifikime për mënyrën se si do të veprojë në muajt e ardhshëm, raporton KTV.

Sipas drejtorit të Ujësjellësit Rajonal, në rast se vendi do të vazhdojë të përballet me mungesë të reshjeve të borës dhe shiut, qytetarët e regjionit të Prishtinës kanë rezerva të ujit vetëm edhe për 7 ose 8 muaj.

Abdullahu shton se nuk kanë informacione rreth procedurave e as paralajmërimit të ndërtimeve në zonën përreth Badocit.

Megjithatë, ai flet për rreziqet që i kanosen sidomos pellgjeve të këtij liqeni, në rast të ndërtimeve në afërsi të tij.

Por, ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, deklaron se ky institucion nuk ka lëshuar asnjë lloj pëlqimi për ndërtimin në zonën përreth Badocit.

Matoshi thotë se ligji aktual është në mbrojtje të ujërave dhe kështu nuk do të lëshohet asnjë lloj leje nga kjo ministri.

E për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qytetarët e Prishtinës nuk do të rrezikohen nga furnizimi me ujë 24 orë, derisa sipas tij kompania “KAWA Group” nuk ka leje ndërtimore për ndërtim në atë zonë dhe se ka aplikuar vetëm për kushte ndërtimore, të cilat i paraprijnë aplikimit për leje.

Së fundi, një grup i qytetarëve me emrin “Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badocit”, ka nisur nënshkrimin e një peticioni online në kundërshtim të planeve të kompanive private për ndërtime në afërsi të liqenit.

Prej tri ditësh, ky grup ka mbledhur mijëra përkrahës që po e kundërshtojnë paralajmërimin e projektit ndërtimor të lagjes “Lakeside Gardens” nga kompania “KAWA” dhe “4M Group”, i cili parasheh ndërtimin e një lagjeje luksoze në afërsi të liqenit.