Arbëri

Bajçinovci thotë se LDK-ja është partner me legjitimitet dhe i respektueshëm

Foto: Mefail Bajqinovci / FB

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajçinovci ka thënë se LDK-ja është partner me legjitimitet demokratik të respektueshëm.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Bajçinovci ka shkruar se VV-ja është duke punuar shumë që marrëveshja për bashkëqeverisje, të reflektojë përmbajtje të tillë që e mundëson ndryshimin e kërkuar nga populli.

“Nuk po flasim këtu thjesht dhe vetëm për votuesit e LVV, por edhe ata të LDK, sepse edhe ai elektorat ka votuar me bindje dhe motive të përafërta: çkapje e shtetit, instalim i meritokracisë, rikthimin e rendit dhe të ligjit. Ne duhet ta zbatojmë këtë vullnet, e kemi obligim ta nxjerrim vendin nga kriza”, ka shkruar Bajçinovci. Sipas tij veprimi i këtyre dy subjekteve duhet ta bëhet në mirëbesim dhe mirëkuptim të plotë.

“Jemi pajtuar për programin, duhet të pajtohemi edhe për parimet udhëheqëse dhe në pushtet të mos shkojmë për vete, por për njerëzit. Ejani të qeverisim bashkë jo siç them unë apo siç thua ti, por siç thotë projekti për ndryshim e transformim të thellë në qeverisjen e vendit, për çka edhe jemi votuar”, është shprehur Bajçinovci.