Arbëri

Xhafer Rama, nga Kosova në NASA

E pozicionuar në cepin verilindor të Kosovës dhe vetëm 35 kilometra larg Prishtinës gjendet komuna e Podujevës, e pjesë e saj është fshati Orllan.

Në këtë fshat u lind dhe u rrit Xhafer Rama për ta vazhduar edukimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm profesional në Uashington D.C.

Me të përfunduar studimet, ai aplikoi për të punuar në një nga agjencitë më prestigjioze në botë. Për më shumë se një vit ai punoi në Agjencinë e Pavarur të Qeverisë Federale të Shteteve të Bashkuara “NASA”, raporton KTV.

Analiza e të dhënave, ndërtimi i produkteve, krijimi i aplikacioneve dhe hartografia janë vetëm disa nga arsyet që Rama ka vendosur të kalojë nga NASA, në një kompani tjetër me seli, po ashtu, në Uashington.

Të gjitha ato që i mësoi në studime dhe në punë, Rama vendosi që t’i shfrytëzojë duke kontribuar në vendin e origjinës duke sjellë dijen dhe pajisjet që do të aftësonin të rinjtë nga Podujeva në fushën e shkencave kompjuterike.

Hapja e qendrës është vënë re edhe nga Rrjeti i Organizatave Joqeveritare "Demokracia fillon këtu" e udhëhequr nga Shemsi Jashari. Ky i fundit thotë se për kontributin që bëri Rama, atij iu nda mirënjohje.

Rama thotë se në planet e tij është zgjerimi i akademisë në nivel nacional me qëllimin e vetëm që të rinjtë e vendit të jenë në hap me kohën dhe fushën e teknologjisë.

E pasi që vizitoi Kosovën në ndërrim të moteve, Rama i është kthyer sërish punës së tij në SHBA duke premtuar se do të japë kontribut në vendlindje.