Arbëri

GLPS: “Pronto” u trajtua me parregullsi e me shkelje të shumta ligjore

“Si dështuan institucionet në trajtimin e rastit "Pronto" - Një reflektim mbi procesin në tërësi”, ishte analiza që sot shpalosi Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në një konferencë për media.

Sipas GLPS, rasti i ashtuquajtur “Pronto”, shkaktoi shqetësim të madh në publik për shkak se, për herë të parë në Kosovë, përmes mediave janë zbuluar dhe publikuar veprimet dhe metodat e punësimit të disa individëve nëpër pozita shtetërore, nga ndërhyrjet partiake të funksionarëve të lartë publik e partiak.

Sipas analizës që Grupi për Studime Juridike dhe Politike i ka bërë aktakuzës dhe veprimeve procedurale të ndërmarra nga prokuroria dhe gjykata, rasti “Pronto”, është trajtuar me parregullsi dhe shkelje të shumta ligjore dhe procedurale, raporton Koha Ditore.

Sipas kësaj analize, Prokuroria nuk ka përfshirë në këtë rast persona që kanë qenë pjesë e përgjimeve.

“Meqenëse pjesëmarrës në përgjimet e publikuara në medie, kanë qenë edhe presidenti aktual Hashim Thaçi dhe ish kryeparlamentari Kadri Veseli, fakt ky që është indikacion i mjaftueshëm që edhe nga të njëjtit të kërkohet llogari dhe përgjegjësi nga prokuroria, gjë që nuk ka ndodhur, bën që forma e trajtimit institucional të këtij rasti të konsiderohet e dobët dhe dështim i sistemit prokurorial në ndjekjen e krimit dhe korrupsionit në vend”, thuhet ndër të tjera në këtë analizë, raporton Koha Ditore.

Për probleme të tilla, tha më herët në një komunikatë GLPS-ja, për një kohë të gjatë kanë alarmuar qytetarët e Republikës së Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit, mediat dhe shoqëria civile. Ndërsa me datën 3 janar 2020, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit nga ana e Prokurorisë në këtë rast duke mos ndëshkuar një praktikë të tillë të dëmshme për çdo proces shtetndërtimi dhe integrimi.