Arbëri

AKK-ja nis hetim ndaj menaxhmentit të UP-së, dyshohet se kanë abuzuar me mëditje e shtesa

Për shtesa të larta, mëditje dhe shpenzimet në udhëtime jashtë vendit të menaxhmentit të lartë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Agjencia Kundër Korrupsionit ka hapur rast hetimi.

Për këtë çështje, përveç menaxhmentit të lartë në Rektorat, po hetohen edhe disa dekanë të njësive akademike në UP, ka mësuar Koha Ditore nga burime të afërta me zhvillimet, raporton KTV.

Drejtori i kësaj, Agjencie Shaip Havolli, ka konfirmuar se ka nisur rast hetimi në UP, por nuk ka përmendur emrat e atyre që janë të përfshirë.

Ai ka shtuar se detaje nuk mund të jepen pa përfunduar procedurat e hetimit.

Nga ana tjetër, Rektorati i UP-së, përmes një përgjigjeje të shkurtër me shkrim për gazetën “Koha Ditore”, ka thënë se nuk është në dijeni për këtë hetim.

“Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës nuk ka pranuar ndonjë informacion nga Agjencia Kundër Korrupsionit se është nisur ndonjë hetim për çështjen për të cilën ju keni parashtruar pyetjet”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

Por, burimet e gazetës kanë thënë se ky hetim ka nisur në fund të nëntorit, pasi

ka dyshime për abuzim me shtesa, mëditje, udhëtime jashtë vendit, derivate të pakontrolluara që i kanë shpenzuar drejtuesit e lartë të UP-së.

Në lidhje me shtesat dhe kompensimet e stafit të tij, ky universitet është kritikuar dhe i janë dhënë vërejtje edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit në dy raportet e fundit.

Auditori kishte shprehur shqetësim se këto kompensime rrisin rrezikun që paraja publike të shpenzohet në mënyrë jo të arsyeshme apo të keqmenaxhohet, si dhe të dëmtojë buxhetin e Universitetit.