Arbëri

Thaçi: Më në fund më erdhi në zyrë Kurti, por s’e kërkoi mandatin për kryeministër

Foto: Alban Bujari / KD

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas takimit që zhvilloi sot me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nga ai takim nuk pati asgjë konkrete.

Në një postim në Twitter, Thaçi ka thënë se Kurti më në fund i shkoi në zyrë për të bërë hapin kushtetues të kërkimit të mandatit për kryeministër, “por për fat të keq nuk e bëri një gjë të tillë”.

“Sot, kryetari i partisë së parë që doli nga zgjedhjet parlamentare të tetorit, z. Kurti, më në fund erdhi në zyrën time për të bërë hapin kushtetues të kërkimit të mandatit për kryeministër. Për fat të keq, ai nuk e bëri një gjë të tillë”, shkroi Thaçi mes tjerash.

Ai tha se “jemi shumë vonë për formimin e qeverisë” ndërsa tha se shpreson që “brenda 48 orësh z. Kurti do të mund ta nominojë një kandidat për kryeministër, pasi që populli, parlamenti dhe aleatët tanë presin këtë hap nga ai”.

Në fund, ai tha se Kurti mund të kërkojë që të shtyhet kjo çështje edhe më tej, por, sipas tij, “kjo do të jetë zhgënjim i madh për popullin e Kosovës”.

“Ai mund të kërkojë vonesa tjera, por kjo do të jetë zhgënjim i madh për popullin e Kosovës dhe rrezik i panevojshëm për krizë kushtetuese”, deklaroi Thaçi.