Arbëri

Edhe e hëna ishte ditë e pritjeve të gjata në Merdar

Me radhë të gjata ka nisur edhe mëngjesi i së hënës në pikën kufitare të Merdarit.

Derisa mërgimtarët të dielën u përballën me pritje 9-orëshe për të dalë nga Kosova, këto pritje megjithatë, kanë qenë më të shkurtra të hënën gjatë ditës, raporton KTV.

Pritjet për të kaluar nëpër këtë pikë sot kanë shkuar deri në 4 orë.

Për qytetarë që zgjodhën këtë pikë kufitare, vazhdon të mbetet problem pritja me orë të tëra këtu.

Ata fajësojnë policinë kufitare serbe për vonesat, si shkak i mos-hapjes së sporteleve të tjera për të përshpejtuar procesin derisa përballen me të njëjtën ngjarje çdo vit.

Gjatë ditës, Ministria për Punë të Jashtme e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në të cilën ka porositur qytetarët e vendit që të evitojnë kalimin nëpërmjet Serbisë.

Aty vlerësohet se Serbia nuk është më territor që ofron siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të qytetarëve.

Sipas MPJ-së, veprimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe, sidomos ato kur arrestojnë e paraburgosin qytetarë kosovarë, dëshmojnë për qasjen destruktive të Serbisë.

“Duke ri-kujtuar komunikatën e 31 majit 2019, njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, me vendbanim në Kosovë apo jashtë vendit, që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë. Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për t’u kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia është më një territor i cili nuk ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, ka thënë MPJ-ja.

Me pritje të gjata gjatë së hënës janë shoqëruar edhe bashkatdhetarët që kanë shfrytëzuar pikat e tjera kufitare në Jarinjë e Mutivodë, ku pritjet për të dalë nga Kosova kanë shkuar mbi një orë.