Arbëri

Kryeziu: Presidenti duhet zgjedhur nga vota qytetare

Descriptive Text

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka bërë një analogji ndërmjet zgjedhjeve të djeshme në Kroaci dhe problemeve me ndërtimin e koalicionit qeverisës në Kosovë. Sipas tij, Kroacia ka sistem parlamentar, por zgjedhjen e presidentit e bëri në mënyrë të drejtpërdrejtë nga votat qytetare.

“LVV-ja dhe LDK-ja, nëse kanë pasur harmonizim të programeve qeverisëse për reformat e pritura politike, para secilës marrëveshje do duhej te dakordoheshin që ta fillonin reformën zgjedhore.

Zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit, do të ndihmonte në shmangien e krizave që mund të dalin si pasojë e mosmarrëveshjeve për pozitën e presidentit gjatë arritjes së marrëveshjeve për koalicione qeverisëse”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit, do ta mundësonte që ky post institucional të kishte vlera të frymës kushtetues dhe do ta shmangte komprometimin e kësaj pozite nga pazaret politike. Gjithashtu, sipas tij, me këtë veprim do të tejkalohej situata, e cila lidhet me 80 votat e nevojshme dhe provokimin e zgjedhjeve të parakohshme.