Arbëri

Kurti: Nuk dua të përzihem në çështjet e drejtësisë por Hoti do të ishte mirë të lirohej

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka thënë se do të ishte mirë që kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate i cili e kërcënoi me vdekje mbrëmë, Haxhi Hoti, të lirohet nga paraburgimi dhe ta presë Vitin e Ri me familjen e tij.

Kështu është shprehur ai përmes një statusi në Facebook.

“Unë nuk jam John Fitzgerald Kennedy kurse z. Haxhi Hoti nuk është Lee Harvey Oswald. Nuk mund t'i vlerësoj çështjet e sigurisë dhe as të përzihem në ato të drejtësisë, por besoj që do të ishte mirë që z. Hoti të lirohet e ta presë Vitin e Ri 2020 me familjen e tij në shtëpinë e tij”, ka shkruar ai.

Në një prononcim për media pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka thënë se nuk i merr seriozisht kërcënimet e Hotit.

Kujtojmë se lidhur me kërcënimin, Vetëvendosje ka ngritur kallëzim penal ndaj Hotit.