Arbëri

Konfindustria kërkon nga Kosova e Shqipëria të krijojnë Tregun e Përbashkët Ekonomik

Foto: Ilustrim

Federata e Industrive të Shqipërisë, Konfindustria, kërkon nga vendimarrja politike e Shqipërisë dhe Kosovës, që pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme dhe problematikave për nisma me natyrë rajonale, përfshirë të ashtuquajturin “Mini-Schengen Ballkanik”, të vazhdojnë me shpejtësi dhe “pa vonesa të paarsyeshme” për plotësimin e agjendës së paraparë dhe marrëveshjeve të nënshkruara të deritashme për krijimin e Tregut të Përbashkët Ekonomik si një qëllim strategjik në interes kombëtar afatgjatë.

Në këtë kuptim, Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë, thotë se mbështet si një hap të rëndësishëm pozitiv drejt krijimit të Tregut të Përbashkët Energjetik Shqipëri – Kosovë, marrëveshjen e nënshkruar së fundmi në Tiranë ndërmjet kompanive të transmisionit të energjisë të dy shteteve shqiptare, përkatësisht OST dhe KOSTT.

“Marrëveshja në thelbin e saj ka krijimin e bllokut të pavarur të sistemit të energjisë, duke e shkëputur Kosovën nga varësia formale e derisotme nga Serbia. Mjaft e rëndësishme vlerësohet, qëndrimi zyrtar neutral i deritashëm i Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit të Energjisë/ ENTSO, në dijeni dhe familjare me marrëveshjen në fjalë”, thotë Buxhuku në një njoftim dërguar mediave.

Ai vlerëson se marrëveshja në fjalë shënon njëkohësisht një hap përfundimtar të rëndësishëm drejt vënies në funksionim të linjës së tensionit të lartë 400 KV ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, që prej pothuaj 4 vitesh është i pashfrytëzuar.

Sipas Buxhukut, ndërtimi i linjës së sipërpërmendur i ka kushtuar më shumë se 70 milionë euro Shqipërisë dhe Kosovës, siguruar nga një kredi e RF të Gjermanisë. Gjithashtu, Buxhuku thotë se mosvënia në funksionim e linjës shkakton çdo vit miliona euro kosto mirëmbajtjeje dhe pagim interesash të kredisë.

“Marrëveshja e pavarësimit të operatorit të transmisionit të energjisë së Kosovës bën të mundur edhe miliona euro shtesë, që deri tash i përfitonte Serbia. Marrëveshja për krijimin e Bllokut të Përbashkët të përbërë prej dy zonave rregulluese, përkatësisht OST dhe KOSTT, përbën dhe një bazë të rëndësishme për shmangien e vonesave subjektive dhe të panevojshme të deritashme për krijimin e Bursës së Përbashkët të Energjisë si kusht bazë për liberalizimin e tregut me përfitim të drejtpërdrejtë të ekonomive, biznesit dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës”, ka theksuar Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë.