Arbëri

Haxhiu: Thaçi mund ta mandatojë kryeministrin vetëm pas propozimit të partisë fituese

Descriptive Text

Deputetja e betuar në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka sqaruar atë që thotë se po keqinterpretohet në publik lidhur me ftesën që ia ka bërë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të LVV-së Albin Kurti për ta mandatuar, dhe afatin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

“Duke e parë që ka shumë paqartësi e keqinterpretime, po e bëj një sqarim procedural lidhur me veprimet pas konstituimit të Kuvendit. Së pari, afati për formimin e Qeverisë, nuk fillon të rrjedhë pas konstituimit të Kuvendit. Afati 15 ditor, fillon të rrjedh vetëm pas caktimit të mandatarit nga Presidenti”, shkruan ajo.

Tutje, shkruan Haxhiu, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 84.14 thuhet se Presidenti "cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ...... që përbën shumicën në Kuvend”.

“Poashtu në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr.103/2014, në të cilin interpretohet Neni 84 paragrafi 14, saktësisht në pikën 68 të tij, shpjegohet qartazi se nuk është në diskrecion të Presidentit të propozojë apo mandatojë kandidatin për Kryeministër nga partia fituese sepse e vërteta është e kundërta e saj duke precizuar se Presidenti mandaton kandidatin për kryeministër vetëm PAS propozimit të partisë fituese”, shkruan Haxhiu.

Më poshtë, Haxhiu ka publikuar edhe referimin në Kushtetutë të Kosovës, siç shkruan ajo, “tek kompetencat e Presidentit dhe referimet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Sot gjatë mbrëmjes edhe juristi dhe njohësi i çështjeve politike Vigan Qorrolli, tha për Koha.net se ftesa që i ka bërë sot presidenti Thaçi pretendentit për kryeministër Albin Kurti, “është thjesht ftesë për konsultë”, dhe se sipas tij, “ai duhet të dërgojë dekret”.

Shtoi se ftesa e presidentit nuk ndikon në nisjen e afatit ligjor prej 15 ditëve për formimin e qeverisë.

LEXO EDHE: Kurti s’i shkon Thaçit as në takimin e mbrëmjes

“Afati kushtetues 15 ditor nuk fillon të rrjedh sipas dokumentit që e ka bërë Thaçi, ai është akt pa titull të saktë shkresor, derisa ky afat kushtetues do të fillojë së efektuari juridikisht vetëm nga momenti kur presidenti ia dorëzon dokumentin zyrtar të nominimit kandidatit për kryeministër”, ka thënë ai.

Kujtojmë se pas seancës konstituive të Kuvendit, të premten, dy partitë që synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zgjedhur të heshtin. Nuk është raportuar as për ndonjë nismë të re për vazhdimin e bisedimeve.

{gallery}