Arbëri

Nagavci e VV-së i kërkon LDK-së të gjendet zgjidhje për marrëveshje – S’kemi kohë për zgjedhje të reja

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, i ka drejtuar një letër Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të vetmen kërkesë që të gjendet një zgjidhje për marrëveshje koalicioni.

Thotë se s’ka kohë për të shkuar në zgjedhje e as luks, ndonëse, sipas saj prapë Vetëvendosja do të dilte e para, edhe atë me më shumë deputetë në numër.

“Dua të besoj se në LDK ka të tillë që e duan ndryshimin e menjëhershëm që i nevojitet vendit. Dua të besoj se deklarimet elektorale s’kanë qenë farsë e fjalë koti. Dua të besoj se ka zëra e mendje racionale që marrin vendime në të mirë të vendit. Këta zëra duhet t'i dëgjojmë sot, tani. Pres që diskutimet të jenë të bazuara në interesin e vendit”, shkruan Nagavci, transmeton Koha.net.

Nagavci, këtë postim e ka bërë në kohën kur Lidhja Demokratike e Kosovës thirri mbledhje të Kryesisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit që ndodhën.

“E interesi i vendit është krijimi i menjëhershëm i institucioneve, hapja rrugë profesionistëve e vendosja e standardeve të reja në qeverisje, në udhëheqje, në drejtësi, gjithandej në shoqëri. Nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi luksin të dekurajojmë rininë e as nevojë të mobilizohemi dhe një herë për zgjedhje. Energjia që do të shpenzohej për të na sjellur në të njëjtën situatë, ku LV! del sërish e para, ( edhe pse me siguri me numër më të madh të deputetëve) do duhej orientuar në mirëqeverisje që tani. Kemi shumë punë përpara”, shkruan Nagavci.

Tutje, ajo thotë se “Ka kohë akoma deri te fillimi i seancës”.

“Pas kësaj vazhdohet me tjera afate. Ne jemi për të gjetur zgjidhje, por jo përtej çdo racionaliteti”, përfundon ajo.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot në orën 15:00.